Në Bruksel, do të mbahet sot takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian.
Delegacioni i Kosovës udhëhiqet nga kryeministri, Albin Kurti, kurse ai i BE-së nga shefi i politikës së jashtme të bllokut europian, Josep Borrell dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Këshilli i Stabilizim Asociimit është formuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Europian dhe në të analizohet zbatimi i kësaj marrëveshjeje nga të dy palët.
Takimi i së martës i Këshillit të Stabilizim Asociimit, sipas burimeve të BE-së, do të jetë një rast për të analizuar raportet mes palëve, situatën aktuale në Kosovë dhe vërejtjet eventuale në përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja.
Por, siç thonë burimet në BE, në këtë takim do të flitet edhe për bashkëpunimin rajonal, përfshirë edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Edhe pse ishte paralajmëruar se para fundit të këtij viti mund të mbahet një takim në nivelin e lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në BE kanë thënë se për momentin nuk shohin gatishmëri të palëve për të arritur ndonjë rezultat konkret në dialog.
Prandaj, në këto rrethana nuk mund të parashikohet nëse së shpejti do të ketë ndonjë takim në kuadër të dialogut, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Kurti pritet të takohet edhe me presidentin e Parlamentit Europian, David Sassoli.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është marrëveshja e parë kontraktuale dhe e vetmja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016 dhe e cila synon të mbështesë përpjekjet e Kosovës për forcimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës.
Në delegacionin e Kosovës po ashtu bëjnë pjesë: zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




