Fatjon Rupi – Kukësi-Skënderbeu ngre siparin e javës së 16-të të Superiores. Është një nga dy ndeshjet më të rëndësishme të kësaj jave, ashtu si Teuta-Partizani, por kjo sfidë luhet ditën e shtunë, kur do të jetë mësuar rezultati i përplasjes mes kuksianëve dhe korçarëve. Kukësi e pret Skënderbeun në fushën e Kamzës, ku ka luajtur edhe më parë në këtë kampionat, pasi ka më shumë tifozë të ekipit verior. Të dy ekipet vijnë me disa probleme, që te Kukësi kanë të bëjnë me sulmuesin Rexhinaldo, afrikanin tekanjoz që është stërvitur veç disa ditë, ndërsa te Skënderbeu duhet të bëjnë pa kapitenin Radas dhe sulmuesit Krasniqi e Hoxhaj.
Është ende faza e dytë e kampionatit dhe mbetet ende shumë rrugë për të bërë, por kjo ndeshje pritet të tregojë me qartë se cila prej dy skuadrave do të rivalizojë Partizanin në garën për titullin kampion. Të kuqtë kanë 34 pikë, 4 më shumë se Skënderbeu, që vjen nga humbja shtëpiake me Teutën dhe nuk i lejohet një humbje e dytë radhazi. Nëse korçarët marrin pikë në këtë transfertë, mbeten në “vallen” e titullit, nëse humbin, atëherë më shumë do të jetë Kukësi anti-Partizani. Skuadra e Cungut, me një fitore të mundshme, do ta barazonte Skënderbeun me pikë.

Kukësi vjen në këtë sfidë me një grup më të plotë dhe më i motivuar, pas fitores në Gjirokastër me Luftëtarin, ndërsa korçarët janë goditur jo pak psikologjikisht nga disfata me Teutën. Megjithatë, “arma” më e fortë e Skënderbeut është pikërisht forca që ky ekip tregon në ndeshjet me rivalët direkt. Kukësin e ka mundur fazën e parë në Korçë, falë një goli të Nazmi Gripshit. Këtë radhë ka shansin që luhet në fushë asnjanëse, por Kukësi tashmë është mësuar me zhvillimin e ndeshjeve larg qytetit verior, pasi ka gjithë sezonin që nuk luan kështu.
“Jemi rivalë për titull. Edhe në ndeshjen e parë luajtëm mirë, pavarësisht se humbëm. Shpresojmë t’i kthejmë reston Skënderbeut, pasi ekipi po kalon një moment të mirë. Ka kohë, por sa më shumë ikin javët, aq më shumë duhen pikët. Ndeshjet me Skënderbeun janë gjithmonë të veçanta dhe jemi të përqendruar maksimalisht për fitore. E respektojmë Skënderbeun, por nuk i druhemi”, – tha në konferencë shtypi trajneri i Kukësit, Armando Cungu. Kolegu i tij te Skënderbeu, Orges Shehi, shpreson që skuadra të luajë më mirë se me Teutën dhe ç’është më e rëndësishme, të marrë pikë në ndeshjen me Kukësin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.