Politike

‘Sot kemi një gjyqësor që nuk është në duart e politikës’, Rama: Njerëz nga partia jonë po japin llogari para drejtësisë

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeminstri Edi Rama nga Madridi ku nënshkroi marrëveshjen për organizimin e “World Law Congress Albania 2027”, Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027 në Shqipëri, vlerësoi reformën në drejtësi.

Kreu i qeverisë tha se kjo reformë solli pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

“Nga ana tjetër dua të them që kemi kaluar nëpër një reformë të jashtëzakonshme drejtësie, një pastrimi të jashtëzakonshëm të sistemit tonë të drejtësisë nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar.

Procesi i rivlerësimit ka marrë shumë vëmendje e mjaft respekt në Europë dhe ka qenë thelbësor për ne që të ecim përpara dhe për herë të parë që kur kemi një shtet dhe jemi një shtet i ri, u pavarësuam nga Perandoria Osmane vetëm në 1912, kemi tashmë një gjyqësor që nuk është më në duart e politikës dhe na duhet të jemi dëshmitarë të kësaj gjëje duke parë edhe njerëz nga partia jonë, nga shumica jonë, të japin llogari para drejtësisë.

Kështu që e dinim këtë dhe nuk pendohemi, në të kundërt do të nxisim sa më shumë të jetë e mundur që më së fundi, shteti i së drejtës të jetë emëruesi i përbashkët i shoqërisë”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë