Gazeta Si - Me mijëra besimtarë shqiptarë kryen faljen e namazit të festës së Fitër Bajramit mëngjesin e kësaj të premteje në “Sheshin Skënderbej”, Tiranë nën drejtimin e Kryetarit të KMSH, Bujar Spahiu.
Ceremonia nisi rreth orës 06:00, ndërsa Namazi u fal në orën 06:40. Ajo nisi me leximin e kuranit, vazhdon me një ligjeratë, faljen e namazit dhe Hytbe.
Besimtarët myslimanë kremtuan festën e Fiter Bajramit, pas 30 ditësh agjërimi. Ceremonia vazhdoi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili përcolli për të pranishmit urimet dhe përshëndetjet e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë.
Kreu i KMSH-së Bujar Spahiu në fjalën e tij përshëndetëse rikujtoi edhe shënjimin e 100-vjetorit të themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Largimi i të rinjve nga vendi dhe për pasojë plakja e popullsisë, ishin pjesë kyçe e mesazhit që dha sot kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu në ceremoninë e mbajtur me rastin e Fiter Bajramit.
Spahiu tha se, "Shqipëria po pakësohet dhe po plaket" dhe u bëri thirrje të rinjve "hiqni dorë nga braktisja e vendit".
Festa e Fiter Bajramit është kremtuar dhe në qytetet e tjera të vendit, ku qytetarë të shumtë kanë falur namazin.
-Në Vlorë, rreth orës 7 të mëngjesit besimtarët myslimanë kanë falur namazin në sheshin para “xhamisë së Plumbit”. Ceremonia e faljes është drejtuar nga kreu i myftinisë së Vlorës, Armand Asllani, i cili ka përcjellë mesazhin për më shumë paqe dhe respekt ndaj njëri tjetrit. Sipas myftiut Asllani, kjo festë simbolizon sakrificën ndaj Zotit, prandaj kërkohet më shumë dashuri midis njerezëve.
-Në Elbasan, riti i faljes u krye në sheshin “Gensher ”, nën drejtimin e Myftiut Agim Duka, i cili përcolli për të pranishmit urimet dhe mesazhin e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë. Ndërkohë imamë e teologë mbajtën ligjërimet e rastit.
-Edhe besimtarët myslimanë në Fier kanë falur namazin e festës së shenjtë të Fiter Bajramit në xhaminë e qytetit, ndërsa krerët myslimanë të Myftinisë kanë percjellë urimet për paqe dhe harmoni mes njerëzve. Ceremonisë i parapriu me fjalën e tij myftiu i Fierit Mikel Hazolli. Ai përcolli në fjalën e tij mesazhin për më shume paqe dhe respekt ndaj njëri-tjetrit e veçanërisht për më shumë besim duke e konsideruar njeriun si pasurinë më të madhe të krijuar nga Zoti.
-Në Durrës, dhjetëra besimtarë kanë marrë pjesë në ceremoninë e faljes së namazit të Fitër Bajramit. Kremtimi i kësaj dite, siç është bërë traditë, në qytetin bregdetar ka nisur në 6:40 të mëngjesit, kur dhjetëra besimtarë myslimanë falin namazin, ndërsa kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njërit-tjetrit, duke uruar mbarësi dhe begati për të gjithë besimtarët shqiptarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.