Nga Gazeta Si – Kombëtarja shqiptare luan sot ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve dhe të parën e erës Sylvinho 2, pas suksesit që patëm në debutimin e trajnerit Brazilian në stolin kuqezi me kualifikueset e Europianit dhe paraqitjen pozitive në finalet e Gjermani 2024.
Ekipi ynë përfaqësues luan përballë Ukrainës në transfertën asnjëanëse të Pragës, duke qenë se në vendin e kundërshtarit tonë prej mëse dy vitesh nuk zhvillohen aktivitete për shkak të luftës me Rusinë. Por ky start i edicionit të ri ka disa dilema dhe probleme që lidhen me aspektin e gjendjes së lojtarëve, dëmtimet dhe formën jo optimale që e përmendi dhe vetë trajneri në konferencën e djeshme për shtyp.
Sa i përket formacionit që mund të zbresë sot në fushë duket se do të ketë disa ndryshime nga ai standarti nisur edhe nga mungesat kryesisht në repartin e mbrojtjes. Kështu në portë pritet ta nisë Tomas Strakosha, ndërsa qendra e mbrojtjes do të jetë dyshja Ismajli-Kumbulla, dy lojtarë që kanë shumë muaj për të mos thënë vite që nuk luajnë bashkë, duke qenë se gjithmonë pika fikse e qendrës së mbrojtjes ka qenë kapiteni Gjimshiti, që mungon për shkak dëmtimi.
Nga krahët janë të përhershmit Mitaj dhe Hysaj. Ndërkohë që skema që pritet të përdorë trajneri është e ngjashme me atë të ndeshjes kundër Kroacisë, me Laçin, Asllanin dhe Ramadanin në mesfushë dhe dy krahët më të avancuar Asani – Bajrami që do të mbështesin sulmuesin Rei Manaj.
Shqipëria me Ukrainën është ndeshur 4 herë, prej të cilave 3 fitore janë për Ukrainën dhe një ndeshje ka përfunduar në barazim, por vetëm 2 prej tyre kanë qenë ndeshje zyrtare, dy të tjerat miqësore. Edhe për mbrëmjen e sotme kompanitë e basteve konsiderojnë si favorite skuadrën kundërshtare të Shqipërisë, megjithatë gjithçka mbetet për tu parë në fushën e lojës duke filluar nga ora 20:45 në “Epet Arena” të Pragës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.