Sociale

Sot festohet 7 marsi! Historiku që nisi me hapjen e shkollës së parë shqipe

Gazeta Si – Sot festohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, një ditë simbolike kushtuar nderimit dhe vlerësimit të mësuesve për kontributin e tyre në arsimimin dhe formimin e brezave të rinj.

Zanafilla e kësaj dite lidhet me hapjen e Mësonjëtores së parë shqipe më 7 mars 1887 në Korçë, në një kohë kur gjuha shqipe mësohej shpesh në fshehtësi për shkak të kufizimeve gjatë sundimit të Perandoria Osmane.

Drejtori i parë i kësaj shkolle ishte Pandeli Sotiri, ndërsa në veprimtarinë e saj kontribuuan edhe figura të njohura të Rilindjes Kombëtare si Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi dhe Thoma Avrami.

Hapja e shkollës u bë e mundur falë përpjekjeve të rilindësve shqiptarë si Naim Frashëri dhe Sami Frashëri, të cilët siguruan lejen për hapjen e saj nga sulltani Abdülhamid II. Mbështetje financiare erdhi edhe nga mërgata shqiptare në Rumani, veçanërisht nga shoqëria “Drita” në Bukuresht.

Në vitet e para, në këtë shkollë u regjistruan rreth 200 nxënës myslimanë dhe të krishterë, një fakt që e bënte institucionin një shembull të rëndësishëm të bashkëjetesës dhe përhapjes së dijes.

Lëndët që mësoheshin përfshinin shkrimin, leximin, gramatikën e gjuhës shqipe, historinë, gjeografinë, aritmetikën dhe edukimin fizik.

Në vitin 1891, në Korçë u hap edhe Mësonjëtorja e parë për vajza nga Gjerasim Qiriazi dhe Sevasti Qiriazi, duke zgjeruar më tej përhapjen e arsimit dhe kulturës kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë