Ngjarje

Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka simbolikë të veçantë dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908.

Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për një ndryshim për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore, duke i propozuar Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Dita e Alfabetit Shqip u miratua nga Kuvendi në shkurt të këtij viti dhe kjo është hera e parë që kremtohet si festë zyrtare. Iniciativa u mor edhe pas diskutimeve në samitin e diasporës.

Në Kongresin e Manastirit morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Në Manastir morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet. Kryetar i kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e vetme në këtë kongres.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Ambasada e SHBA-së uron Ditën e Alfabetit: Nderim bukurisë së gjuhës shqipe dhe rëndësisë së saj unike

Ambasada e SHBA-së në Tiranë uroi sot shqiptarët për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale.

“Kjo ditë shënon përvjetorin e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, ku u standardizua alfabeti unik i gjuhës shqipe. Shqipëria po shënon për herë të parë këtë ditë për të nderuar bukurinë e gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj unike kulturore dhe historike”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Dita e Alfabetit Shqip u miratua nga Kuvendi në shkurt të këtij viti. Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për një ndryshim për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore, duke i propozuar Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare.

Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë