Nga Gazeta ‘Si’- Emisari evropian për dialogun, Peter Sorensen, tha se po bën përgatitje për organizimin e një takimi të nivelit të lartë në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se gjatë takimit në Bruksel me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, të zhvilluar më 10 qershor, ka diskutuar për normalizimin e raporteve mes dy vendeve dhe janë pajtuar që diskutimet të vazhdojnë së shpejti.
“Isha mikpritës i një takimi të gjatë në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë. Diskutuam lidhur me avancimin e normalizimit të raporteve të tyre në përgatitje të një takimi të nivelit të lartë të dialogut, për zbatimin e obligimeve dhe çështjet aktuale. U pajtuam që së shpejti të vazhdojmë diskutimin”, shkroi ai në X.
Që nga marrja e mandatit si ndërmjetës, Sorensen të martën ishte mikpritës i takimit të parë mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç.
Ndërkaq, Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut, që nga shtatori i vitit 2023.
Bislimi: Sorensen ka vizion të qartë se si të ecet përpara
Pas rundit të dialogut në Bruksel, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ndërmjetësi i ri i dialogut, Sorensen, ka një vizion të qartë se si të ecet përpara në takimet e radhës.
“Në rezultate konkrete, është ende herët. Sorenseni e ka pak a shume një vizion të qartë se si të ecet në takimet e radhës. Javën tjetër do të dërgojë dy nga më të afërtit e tij në Kosovë e Serbi për të marrë informata shtesë dhe më pas në fillim të korrikut do të vendosë për hapin e radhës. Sorenseni do edhe një takim në korrik. Kjo tregon për mua që ai ka investim të madh në proces, ka dëshirë të shohë rezultat, por deri tash dihet se Serbia ka sabotuar procesin”, tha ai.
Bislimi tha se gjatë 10 qershorit në Bruksel janë zhvilluar një sërë takimesh. Ai tregoi se fillimisht është mbajtur një takim trepalësh. Më pas, kryenegociatori kosovar ka zhvilluar edhe takim dypalësh me emisarin evropian.
“Ideja ka qenë që të kemi tri tema të ndryshme në takimet e sotme. Në fillim, jemi dakorduar për principet se si do të udhëhiqen takime trepalëshe me Sorensenin. Jemi dakorduar me të gjitha propozimet e Sorensenit”, u shpreh Bislimi.
Ai tha se pjesa kryesore e takimit trepalësh u përqendrua në diskutimet se si të ecet përpara sa i përket zbatimit të Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 2023.
Në këtë drejtim, Bislimi tha se janë paraqitur idetë e palëve dhe “nuk ka pasur dakordim të plotë” mes tyre.
“Na është thënë që në takimin e radhës t’i sjellim idetë në mënyrë të shkruar”, theksoi Bislimi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se gjatë takimit dypalësh me emisarin evropian ka diskutuar për disa tema.
“Personat e pagjetur për ne ka qenë tema më e rëndësishme, ku kemi treguar çfarë ka bërë Kosova këto muaj e çfarë nuk ka bërë Serbia. Kemi diskutuar edhe për transferet financiare te qytetarët e Luginës së Preshevës, dhe kemi garantuar se s’bëjmë shkelje. Diskutuam edhe për funksionalizimin e interkonjeksionit me Serbinë që po e rrit koston e transmisionit për energjinë jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Gjithashtu folëm edhe për menaxhimin e integruar të kufirit që ka ngecur faji i Serbisë dhe fushatën sistematike të dezinformatave nga ana e Serbisë”, deklaroi Bislimi.
Petkoviç insiston në formimin e Asociacionit
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha se në raundin e ri të dialogut Serbia ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe uljen e tensioneve që tha se janë hapat e parë drejt normalizimit të raporteve.
“Sa i përket uljes së tensioneve edhe një herë kam folur shumë qartë dhe prerë për terrorin e [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurtit ndaj popullit serb në Kosovë, veçanërisht në veri. Për gjithçka që ndodh çdo ditë. Kemi dorëzuar sërish listën me veprimet më të fundit që çojnë në përshkallëzim”, tha Petkoviç.
Ai tha se statuti për themelimin e Asociacionit duhet të bazohet në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, të arritura në kuadër të dialogut, duke shtuar se asociacioni duhet të duket në bazë të këtyre marrëveshjeve.
Një draft-statut i hartuar për këtë asociacion nga BE-ja nuk është dërguar ende në Gjykatën Kushtetuese për interpretim nga Qeveria në detyrë e Kosovës. Një veprim i tillë do të shënonte hapin e parë drejt krijimit të Asociacionit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.