Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, shpreson në një refeklektim të palëve për të zgjidhur krizën politike, pasi koha sipas tij po përfundon.
Fushata zgjedhore pritet të nisë së shpejti dhe Soreca bën thirrje që koha e shkurtër që ka mbetur të përdoret deri në fund për një marrëveshje politike. Në të kundërt uron për një fushatë zgjedhore të paqme dhe që të ketë zgjedhje.
“Fundi i kësaj jave është një afat i rëndësishëm kohor për platformën nga opozita, për prezantimin e saj. Koha po përfundon. Së shpejti do të nisë fushata zgjedhore, kështu që koha e mbetur është shumë e shkurtër, – tha Soreca në “Ora News”. – Unë shpresoj që ajo do të përdoret, në rast se nuk do të shfrytëzohet ne do të shohim që do të kemi një fushatë zgjedhore, shpresojmë që ajo do të jetë e paqme dhe që të kemi zgjedhje”.
Soreca thekson se zgjidhja më e mirë për qytetarët shqiptarë është që të kenë zgjedhje. Ai tha se do të ketë bisedime me të gjitha palët deri në minutën e fundit për t’i binddur të marrin pjesë në zgjedhje.
Ambasadori komentoi edhe deklaratat e kryedemokratit Basha, i cili u ka bërë thirrje zgjedhësve të mos dalin në votime, duke arritur deri në bllokimin e tyre.
“E kam dëgjuar këtë deklaratë dhe vërtet shpresoj që zgjedhjet të kryhen në mënyrën e duhur dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Së bashku me OSBE/ ODIHR po diskutojmë mënyrën e monitorimit dhe të vëzhgimit. Thirrja që unë bëj është kundrejt të gjitha partive politike të mendohen mirë për përgjegjësitë e tyre. Përgjegjësitë që ata kanë kundrejt zgjedhësve për pjesëmarrje nëse merret vendimi për të mos marrë pjesë që të respektohet e drejta e të gjithë zgjedhësve që duan të votojnë. Për këtë arsye ata të lejohen të shprehin të drejtën kushtetuese për të votuar”, shpjegoi Soreca.
Soreca nënvizoi se shpreson që protesa e opozitës sot të jetë paqësore dhe të nxirren mësime prej saj.
“Së pari dua të them që respektoj të drejtën e qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre në mënyrë të lirë. Për këtë arsye uroj atyre që duan të shprehin qëndrimin e tyre, shpresoj ta bëjnë në një mënyrë të duhur dhe të paqme. Është e rëndësishme që opozita të shprehë pakënaqësinë e saj, por shpresoj shumë që kjo protestë të mbesë tek kufijtë e të paqmes dhe disa mësime të nxirren për zgjidhjen e krizës”.
Ndërsa në lidhje me djegien e mandateve të opozitës, ai tha se BE e respekton vendimin, por partitë politike kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




