Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca lëshon apelin ndaj partive politike për gjetjen e kompromisit për zgjidhjen e ngërçit politik. Në një intervistë për Deutche Welle, Soreca theksoi se duhet gjetur ura e komukimit mes palëve, që sipas tij, ekziston ende.
“Sigurisht që kemi luajtur një rol në këtë vend dhe ne vazhdojmë të luajmë një rol të rëndësishëm. Siç thashë më parë, ne kemi një mandat të fortë nga qytetarët shqiptarë, 93% prej të cilëve duan të hyjnë në BE, por gjithashtu edhe një përgjegjësi të fortë. Dhe tani është koha për ne që të japim rezultate, por është gjithashtu koha që partitë politike të këtij vendi të gjejnë një kompromis. Kultura e kompromisit nuk është medoemos tipike për këtë vend; ajo duhet të bëhet një moment ku takohen interesat. Gjithkush duhet të bëjë një hap përpara. Ka një urë diku dhe unë jam i sigurt, se ekziston një mënyrë për ta kaluar këtë urë dhe për të siguruar që të gjendet dialogu. Kjo është në interes të shtetasve shqiptarë që duan që ky vend të ecë përpara”, u shpreh Soreca.
Sa i përket çështjes së negociatave dhe idesë së hedhur për shtyrjen e vendimit për në vjeshtë, Soreca e sheh edhe si një mundësi për Shqipërinë për të realizuar plotësimin e institucioneve të drejtësisë.
Shqipëria duhet të besojë në atë që bëri gjatë vitit të kaluar. Komisioni Evropian do të nxjerrë një raport në fund të këtij muaji dhe më pas Këshilli – ju e dini dallimin mes Komisionit dhe Këshillit – do të marrë një vendim jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për afatin kohor. Dhe kjo varet tërësisht nga Presidenca Rumune e Këshillit. Kam dëgjuar ashtu si dhe ju, se ka disa shtete anëtare që mund të kenë nevojë për më shumë kohë për të vlerësuar raport-progresin e Komisionit Evropian duke pasur parasysh se ka vetëm tri javë kohë ndërmjet miratimit të raportit dhe vendimit të Këshillit. Por kjo ende nuk është vendosur, ndaj derisa të vendoset i ftoj autoritetet shqiptare që të vazhdojnë të përqendrohen në këtë afat. Nëse ky afat do të shtyhet për më vonë këtë vit, shpresoj vërtet që qeveria shqiptare ta përdorë mirë këtë kohë. Dhe në muajt e ardhshëm SPAK-u do të funksionojë, Gjykata Kushtetuese do të rikthehet dhe ndoshta do të kemi edhe një zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ ODIHR mbi ligjin zgjedhor”, theksoi Soreca.
Sa i përket çështjes së reformës në drejtësi dhe vonesave në ngritjen e institucioneve të reja të drejtesisë, ambasadori i BE-së ndan një mendim tjetër duke theksuar se në muajt e ardhshëm do të ketë rezultate ku pritet që të plotësohet edhe Gjykata Kushtetuese.
“Po diskutoja me Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi javën e kaluar dhe ai më tha se e ka finalizuar listën e kandidatëve për t’ia dorëzuar Presidentit dhe pastaj Parlamentit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Shpresojmë se në muajt e ardhshëm Gjykata Kushtetuese do të rifillojë. Dy Këshillat janë ngritur, 130 prokurorë dhe gjyqtarë kanë kaluar përmes procesit të vetingut, – 25 kandidatë të SPAK-ut do të zgjidhen tani, pritet që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen së shpejti, 53 gjyqtarë të rinj janë zgjedhur javën e kaluar nga Shkolla e Magjistraturës. Pra, reforma e drejtësisë është duke ecur përpara, është e pakthyeshme. Së shpejti do të kalojmë kthesën ku reforma e drejtësisë do të bëhet një fakt i përditshëm për qytetarët shqiptarë. Kjo është shpresa jonë dhe mendoj besimi ynë”, theksoi Soreca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




