Ambasadori i delegacionit të BE-së, Luigi Soreca ka reaguar një ditë pas qëndrimeve të ashpra të presidentit Ilir Meta për krizën politike dhe situatën në reformën në drejtësi. Në një status të gjatë në rrjeti social Twitter, Soreca ka kërkuar pjekuri nga klasa politike shqiptare për të dialoguar. “Është koha që qeveria dhe opozita dhe institucionet të tregojnë maturi politike dhe në mënyrë urgjente të angazhohen në dialog politik për të tejkaluar situatën. Është gjithashtu koha të ecet përpara. Implementimi i reformës në drejtësi është i pakthyeshëm”, tha ai.
Kjo është kërkesa e BE-së pas zgjedhjeve lokale që tashmë fokusohet te reformat që duhet të përmbushë Shqipëria si pjesë e kushteve për avancimin drejt rrugës së integrimit europian. Gjithashtu ashtu si SHBA, edhe BE kërkon që problemet me zgjedhjet t’i trajtojnë institucionet e reja të drejtësisë.
Një ndër kërkesat e Brukselit është ngritja e SPAK-ut dhe Gjykatës Kushtetuese. “Fokusohuni tani në ngritjen e SPAK dhe ktheni Gjykatën Kushtetuese funksional. Pasi të përfundojë rigorozisht verifikimi i kandidatëve, SPAK do të lejojë që të përmirësojë më tej luftën e saj kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa gjykata do të jetë në gjendje të qartësojë të gjitha çështjet e pazgjidhura që kanë të bëjnë me të drejtat kushtetuese, duke përfshirë çështjet e zgjedhjeve”, shkruan më tej ambasadori.
Për BE-në lufta ndaj korrupsionit edhe krimit të organizuar duhet të vazhdojë dhe kërkon që prokuroria të hetojë edhe blerjen e votave. Rezultatet konkrete mbi ndëshkimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga kërkesat e Komisionit Europian e për këtë Soreca thekson rëndësinë që ka konfirmimi se drejtësia funksionin efektivisht në Shqipëri.
“Lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë çdo ditë. Prokuroritë duhet të hetojnë çdo formë korrupsioni, përfshi dhe blerjen e votave dhe veprat penale elektorale në zbatim të legjislacionit ekzistues. Për të konfirmuar se rrethi i drejtësisë penale punon në mënyrë efektive është gjithashtu e rëndësishme që dënimet përfundimtare të bëhen nga gjykatat për raste serioze të krimit të organizuar. Për më tepër, partitë duhet të rifillojnë me shpejtësi reformën zgjedhore. Të gjitha institucionet dhe udhëheqësit politikë duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në këto objektiva në pritje të vendimit të Këshillit Europian në tetor. BE do të vijojë të mbështesë Shqipërinë dhe qytetarët e saj të cilët besojnë fort se e ardhmja europiane është vendi i tyre”, shprehet ambasadori i BE.
Pas zgjedhjeve lokale, ku opozita nuk mori pjesë, ndërkombëtarët po venë theksin te dialogu politik mes palëve dhe zgjidhja e krizës. Kushti i opozitës se nuk ka dialog pa ndëshkuar ato që kanë kryer krime zgjedhore, është edhe apeli i ndërkombëtareve për mbylljen e dosjeve të nisura për dosjet e Dibrës dhe të Durrësit. Edhe SHBA-të kërkuan që rastet e problemeve të zgjedhjeve t’i drejtohen gjykatës, duke bërë një ftesë për dialog mes mazhorancës dhe opozitës. “Pavarësisht pengesave, populli shqiptar – qoftë ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan – ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë. Në këtë çast, ne iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të respektojnë shtetin ligjor dhe të punojnë brenda institucioneve të ngritura për të përcaktuar rrugën përpara për demokracinë shqiptare, përfshi përparimin me reformat e rëndësishme zgjedhore të rekomanduara nga ODIHR. Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të presin nga Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz Vettingu. Si gjithnjë, Shtetet e Bashkuara janë në krah të popullit shqiptar si një vend partner, një mik dhe një aleat. Ne jemi të përkushtuar të ndihmojmë për forcimin e shtetit ligjor dhe ndërtimin e një demokracie më të fortë dhe një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë shqiptarët”, ishte qëndrimi mbajtur nga ana e ambasadës së SHBA-së pas zgjedhjeve të 30 qershorit.
Meta, Sorecas: Delegacioni s’ka bërë asgjë, nuk më mbështetët
Pas qëndrimit të Soreca, ka ardhur reagimi i ashpër i presidentit Meta, i cili nuk ka ngurruar që të fajësojë Delegacionin e Bashkimit Europian se nuk ka bërë asgjë për të zgjidhur krizën, e kjo sipas tij, që nga koha kur në krye ishte Romana Vlahutin. “Ju e dini shumë mirë, që ditën e parë që keni mbërritur këtu, se një nga shqetësimet dhe vërejtjet e mia për Delegacionin e BE gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë se nuk ka bërë përpjekjet më të mira për të nxitur një dialog real midis palëve”, shkruan Meta në Facebook.
Për këtë kreu i shtetit i ka drejtuar 10 pyetje ambasadorit Soreca, duke i kërkuar publikisht se nëse i kishte vënë në dijeni Ramën se zgjedhjet pa opozitën nuk plotësojnë kriteret e Kopenhagës. “A ishit ju realisht për nxitjen e dialogut mes palëve më parë z.Ambasador? A morët ju ndonjë nismë konkrete për vendosjen e këtij dialogu mes palëve? A i kërkuat ju mbështetjen Presidentit për dialog, me qëllim që t’ja kursenim shfaqjen e shëmtuar të 30 qershorit Shqipërisë dhe së ardhmes së saj europiane? A e dini ju që Presidenti mori një nismë për anulimin e zgjedhjeve me qëllim vendosjen e dialogut mes palëve? Përse nuk e mbështetët ju Presidentin në këtë iniciativë publikisht?”, janë disa nga pyetjet e Metës.
Në pyetjet e tjera të drejtuara presidenti lë të nënkuptohet se është vënë në lëvizje vetëm pas deklaratave të dy deputetëve gjermanë për zgjidhjen e krizës dhe se vetë Soreca nuk ka mbajtur qëndrim për dekretin që zgjedhjet të mbahen më 13 tetor 2019.
“A e dini ju që në 24 maj 2019 përfaqësuesit zyrtarë të grupit kryesor në Bundestag, deputetët Wadephul dhe Schmidt, përmes një qëndrimi zyrtar kërkuan vendosjen urgjent të dialogut për zgjidhjen e krizës, madje u ofruan për moderimin e këtij dialogu me qëllimin e mirë për të ndihmuar në çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe theksuan edhe rëndësinë e një date të re për zgjedhjet vendore, që të ishin demokratike dhe gjithpërfshirëse, si domosdoshmëri për të ndihmuar çeljen e negociatave? A e dini ju që Presidenti menjëherë reagoi duke mbështetur këtë nismë dhe tregoi vullnetin e tij për të dekretuar një datë të re të zgjedhjeve, pas dakordësimit të palëve? A e dini ju që Presidenti i Republikës ka dekretuar datën 13 tetor 2019, për zhvillimin e zgjedhjeve lokale gjithëpërfshirëse? Çfarë qëndrimi keni ju? A e keni sqaruar z.Rama se zgjedhjet pa opozitën nuk plotësojnë kriteret e Kopenhagës, shkelin parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe pamundësojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit në tetor 2019? A e dini ju që po dje Presidenti ka theksuar, duke pasur parasysh rëndimin e krizës politike në vend, që 13 tetori 2019 të jetë jo vetëm data e zgjedhjeve lokale, por edhe e atyre parlamentare dhe presidenciale, për t’i dhënë fund njëherë e mirë kësaj krize të thellë dhe të gjithanshme të përfaqësimit në vend?”, ishin disa nga pyetjet e Metës, për të cilat duket se nuk kanë marrë shpjegime as në takimet që presidenti ka pasur me ambasadorin.
Pavarësisht kritikave, Meta përshëndet apelin e europianëve për një dialog mes palëve, duke lënë për një kohë tjetër për serinë e pyetjeve sa i përket çështjes së reformës në Drejtësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




