Nga Gazeta “SI”– Finalja e madhe e “Eurovision Song Contest 2025” zhvillohet sonte në Bazel të Zvicrës, ku 26 shtete do të ngjiten në skenën madhështore të sallës “St. Jakobshalle”, për të garuar për trofeun më të lakmuar të muzikës europiane.
Edicioni i 69-të i këtij festivali fillon në orën 21:00 (CEST) dhe do të transmetohet drejtpërdrejt për miliona shikues në të gjithë kontinentin.
Shqipëria përfaqësohet këtë vit nga formacioni “Shkodra Elektronike”, i cili do të performojë i fundit në renditje, në pozicionin e 26-të, një vend që shpesh shihet si strategjik për mbresat e fundit që lënë artistët në publik.
Kënga e tyre “Zjerm”, një bashkëveprim i guximshëm mes tingujve elektronikë dhe motiveve folklorike shqiptare, ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm në rrjetet sociale dhe në qarqet muzikore evropiane.
Pas një paraqitjeje spektakolare në natën e parë gjysmëfinale, “Zjerm” arriti të sigurojë një vend në finale, duke ndezur shpresat për një renditje të lartë.

Kritika ndërkombëtare ka qenë tejet entuziaste. Rrjeti gjigant CNN e ka renditur “Zjerm” si këngën më të mirë të këtij edicioni, ndërsa media prestigjioze si “ProtoThema”, “The New York Magazine” dhe “Corriere della Sera” kanë shkruar me nota superlative për performancën dhe risinë që sjell “Shkodra Elektronike” në festival.
Publiku shqiptar që jeton jashtë vendit mund të votojë për Shqipërinë duke dërguar një SMS me kodin e këngës në numrin 54345 ose përmes platformës zyrtare esc.vote, ku votimi bëhet online me pagesë. Ndërkohë, për shqiptarwt që ndodhen brenda territorit të Shqipërisë, votimi nuk është i mundur, siç parashikojnë rregullat e Eurovizionit.
E gjithë vemdendja sonte do të jetë në Bazel, ku muzika do të flasë në të gjitha gjuhët e Evropës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.