Në dhjetor të 2018, kryeministri Edi Rama nga mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste do të shpallte ndryshimin e pothuajse të gjysmës së kabinetit qeverisës. Habia e socialistëve në forumin më të lartë ishte se pjesa më e madhe e ministrave do të ishin “anonimë”, të panjohur nga strukturat e PS-së.
Gent Cakaj, ministër i Jashtëm në detyrë; Sandër Lleshaj ministër i Brendshëm; Anila Denaj ministre e Financave; Belinda Balluku ministre e Energjetikës; Besa Shahini, ministre e Arsimit dhe Elva Margariti ministre e Kulturës janë emrat që mbajnë prej pesë muajsh postet kyçe në qeverinë Rama “II”, e riformatuar pas zgjedhjeve të 2017. Nga garda e PS-së u caktuan Erjon Braçe në postin e zv/kryeministrit, Bledi Çuçi si ministër i Bujqësisë; Elisa Spiropali si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Eduard Shalsi si ministër i Shtetit për Marrëdhënien me Sipërmarrjen.
Ndryshimet bënë bujë në dhjetor, ndërsa kryeministri Edi Rama do të kujdesej që t’i veshte kostumin politik “anonimëve” në PS, duke i dhënë të drejtën e fjalës në Kongresin Elektoral të marsit 2019 që partia në pushtet mbajti në Pallatin e Kongreseve dhe më pas në shesh. Aktivitetet erdhën në një moment kur kriza politike akoma nuk kishte kapur kulmin, ku opozita parlamentare e partive PD, PR, LSI, PDK, PR dhe PBDNJ pas dorëzimit të mandateve është tashmë edhe jashtë zgjedhje lokale të 30 qershorit.

Instituti i Studimeve Politike në një vlerësim të kryer thekson se në dallim nga formati i tyre politik ata filluan të jenë gjithnjë e më shumë partiakë në deklarime, saqë katër muaj më vonë mund të thuhet se janë shumë më tepër, sesa vetë disa figura politike me përvojë të gjatë në qeveri dhe në grupin parlamentar të kësaj partie. Ky është një tipar i karrierave të emëruara politike në secilën parti dhe qeveri të periudhës së tranzicionit.
ISP gjithashtu shfaq edhe një sondazh të kryer me delegatët e PS-së në lidhje procesin e emërimit të ministrave të rinj nga kryeministri Edi Rama. Gjatë Kongresit të fundit elektoral të PS në mars 2019, delegatët u pyetën edhe për vlerësimin e tyre për ministrat e rinj dhe deputetët e rinj që shënuan prurje më 2017.
“Mendimi i delegatëve është i qartë: mbi 50% e tyre vlerësojnë se ministrat e rinj dhe prurjet e reja në grupin parlamentar nuk janë të aftë sa do të duhej të ishin. Një vlerësim i tillë shpreh një nivel më të hapur të mendimit në PS, sidomos tek kurajo e delegatëve për të dhënë opinione kritike me drejtuesit e tyre në qeveri e parlament, por edhe konfirmon hendekun e thellë edhe profesional midis elitave që qeverisin dhe pritshmërive të qytetarëve, përfshirë bazës së partive”, thekson ISP-ja.

Sipas këtij sondazhi, 38% e të anketuarve mendojnë se janë të aftë, pjesa tjetër kanë mendim tjetër.
Sipas këtij Instituti, fakti se deputetët e ministrat e rinj janë militantë e ndjekës besnikë të liderit, nuk i bën ata më të aftë sesa janë dhe fakti se delegatët janë kritikë me kapacitetet e tyre profesionale, është shenjë se në qeverisjen e majtë, ashtu si në të gjitha qeverisjet e mandateve të dyta ka pakënaqësi të mëdha midis bazës mbështetëse tradicionale dhe “fituesve” të pushtetit në emër të tyre.
Ndërkaq në debatet parlamentare po shihet në jo pak raste që më të ashpër në qëndrimet e tyre janë ministrat që janë jashtë strukturave politike të PS-së. Kështu mund të vërehen qëndrimet politike të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili edhe pse i vënë nën akuzë nga opozita, mban qëndrime që duhej të ishin jashtë profilit të një ministri që merret me çështjet e policisë dhe të sigurisë. Ndërsa Lleshaj është caktuar në krye të Task-Forcës së PS-së për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Ministri i Jashtëm në detyrë, në profilin zyrtar në Facebook, mban si foto kryesore moton e PS-së. Nuk mund të mohohet fakti se edhe një pjesë e ministrave në postet kryesore kanë ambicie për t’u përfshirë në strukturat e PS-së, si dhe një mënyrë për të qenë pjesë e Parlamentit në zgjedhjet e ardhshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





