Shqiptarët e Kosovës janë më pak entuziastë se shqiptarët e Shqipërisë për bashkimin kombëtar. Në këtë përfundim ka dalë një sondazh i kryer nga fondacioni “Soros” në të dyja vendet shqiptare.
Sipas këtij sondazhi, nëse do të mbahej referendum për bashkimin kombëtar, në Shqipëri 74.8 për qind e të intervistuarve do të votonin pro, 17.7 për qind kundër dhe pjesa tjetër nuk ka dhënë një përgjigje.
Në Kosovë, vetëm 63 për qind e të anketuarve do të votonin pro bashkimit me Shqipërinë dhe 16.7 për qind kundër. Veçoria është se mes të anketuarve në Kosovë ka një shifër më të madhe të personave që janë përgjigjur me “Nuk e di”, sesa në Shqipëri, përkatësisht 18.4 për qind në Kosovë dhe 6.2 për qind në Shqipëri.
Sa i përket dëshirës së realizimit të bashkimit kombëtar, 63 për qind e të anketuarve në Shqipëri dhe 54 për qind e të anketuarve në Kosovë deklarohen se e dëshirojnë bashkimin kombëtar. Por a janë të gatshëm shqiptarët që të paguajnë për hir të këtij bashkimi? Sondazhi i “Soros” sugjeron që jo.
“Të pyetur nëse do të ishin të gatshëm të paguanin një taksë e cila mundëson bashkimin kombëtar, 29.5% e të anketuarve në Shqipëri do të ishin dakord me një taksë të tillë dhe 43.5% e të anketuarve në Kosovë. 75 për qind e të anketuarve në Shqipëri dhe 64% e të anketuarve në Kosovë do të votonin pro bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm, nëse do të mbahej një referendum”, vëren sondazhi.
Shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë kanë këndvështrime të ndryshme sa i takon se kush e ka në dorë më fatin e bashkimit kombëtar. Në Shqipëri shumica beson se bashkimi është në dorë të ndërkombëtarëve, ndërsa në Kosovë shumica beson se bashkimi është në dorë të udhëheqësve politikë në Tiranë dhe Prishtinë.
“Për shqiptarët e Shqipërisë të cilët besojnë se bashkimi kombëtar është i mundshëm, bashkësia ndërkombëtare shihet si faktor kryesor që mundëson bashkimin. Kurse për shqiptarët e Kosovës faktor kryesor që mund të realizoj një skenar të tillë shihet lidershipi në Kosovë dhe Shqipëri. Por edhe ata që mendojnë se bashkimi kombëtar nuk mund të ndodhë, faktorin ndërkombëtar e shohin si pengesë kryesore, si të anketuarit në Shqipëri, ashtu edhe ata në Kosovë”, gjen sondazhi.
Në të dyja anët e Morinës, një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve besojnë se anëtarësimi bashkimi kombëtar bie ndesh me procesin e anëtarësimit në BE.
Sondazhi është kryer nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në fund të vitit 2018. Në të janë pyetur 2504 qytetarë në të dyja vendet, 1200 në Shqipëri dhe 1304 në Kosovë, nga të cilët 1004 me kombësi shqiptare dhe 300 me kombësi serbe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.