Analize

Sondazhi i FMN: Shoqëritë post krizë kërkojnë të ndihmojnë shtetin. Pro taksës progresive

Kostot ekonomike të pandemisë kanë qenë më së shumti barrë për ata që janë më pak të aftë t’i përballojnë ato. Qeveritë kanë ndërmarrë hapa për të mbështetur njerëzit dhe siëprmarrjet përmes subvencioneve të pagave, pagës së papunësisë dhe masave të tjera fiskale.

Por ende do të nevojiten më shumë investime për kujdesin shëndetësor, arsimin dhe shërbimet e tjera themelore publike, dhe kjo do të sjellë një kosto shtesë. Me rritjen e pabarazisë dhe rritjen e borxhit publik, vendet do të duhet të gjejnë qasje inovative për të sigururar para për të paguar për gjithçka.

Për këtë qëllim, qeveritë tani kanë filluar të përqendrohen në mobilizimin e të ardhurave nga korporatat dhe individët që mund të përballojnë më mirë për ti shpërndarë paratë në mënyrën e duhur. Këto të ardhura do të ndihmojnë në përmbushjen e nevojave të jashtëzakonshme të financimit që po rrjedhin nga pandemia, duke nxitur gjithashtu kohezionin social në këto kohë të vështira. Si me shumë gjëra, qëndrimet ndaj taksave dhe shkalla në të cilën barra e tyre duhet të bjerë mbi ata që munden më shumë të paguajnë, po riformësohen nga pandemia.

Mbështetje në rritje për taksimin progresiv

Një opsion për mbledhjen e të ardhurave që mund të jetë në kohë dhe të tërheqë mbështetje politike është taksimi progresiv. Dëshmitë nga një sondazh i fundit i 2,500 qytetarëve të SH.B.A.-ve sugjerojnë se pandemia dhe pasojat e saj të pafavorshme ekonomike mund të shpien në mendime më të favorshme kah taksimit progresiv. (Një taksë është progresive nëse detyrimi tatimor, si pjesë e të ardhurave të një personi, rritet me të ardhurat.) Ky rezultat është i qëndrueshëm dhe në sinkron me gjetjet e mëparshme që qëndrimet ndaj politikave publike mund të formësohen nga përvoja personale gjatë krizave dhe faktorëve të tjerë me ndikim të madh në ekonomi.

Sondazhi mbi pikëpamjet e njerëzve në favor ose kundër:

Rritja e taksimit si një mënyrë e financimit të rimëkëmbjes ekonomike, si dhe shpenzimet shtesë të bëra të nevojshme nga pandemia;

Futja e një takse të përkohshme të lidhur në mënyrë të qartë me këtë qëllim; dhe

Rritja e përhershme e shkallës së progresivitetit të taksimit (me variacione të tilla si rritja e taksimit për njerëzit me të ardhura mbi mesataren, vetëm korporatat e pasura, shumëkombëshe, etj.)

Gjetja kryesore është që të anketuarit që kanë përjetuar sëmundje serioze ose humbje të punës si rezultat i COVID-19 – ose njohin personalisht dikë që ka përjetuar situata të tilla – favorizojnë taksimin progresiv në një masë më të madhe se të tjerët e marrë në pyetje, me një diferencë të gjerë (19 pikë përqindje ) Rezultatet kanë gjithashtu një analizë më të avancuar, të tillë si regresionet që kontrollojnë faktorët demografikë, variablat socio-ekonomikë dhe preferencat për kategori të ndryshme të shpenzimeve (të tilla si arsimi, shëndetësia, mjedisi, policia, ushtria dhe mbrojtja e kufirit).

Rezultatet e bazuara në sondazhe duhet të interpretohen me kujdes, citon FMN. Gjetjet tregojnë se njerëzit që janë lënduar drejtpërdrejt nga pandemia kanë tendencë të jenë avokatë më të fortë për mbështetjen e shtetit për ata në nevojë dhe se ky efekt është më i theksuar për ata që më parë kishin pikëpamje kundër taksimit progresiv. Sidoqoftë, është e pasigurt se sa fort do të ruhen në kohë pikëpamje të tilla. Për më tepër, faktorë të tjerë mund të shkaktojnë njëkohësisht një ndryshim të qëndrimeve. Për shembull, epidemitë e kaluara janë pasuar nga besimi më i dobët te qeveria. Por në përgjithësi, këto rezultate sugjerojnë që ndjenja publike mund të zhvendoset në favor të taksimit më progresiv.

Nxitja e një rikuperimi gjithëpërfshirës

Duke pasur parasysh disponimin publik gjatë kësaj periudhe unike në histori, politikëbërësit mund të konsiderojnë futjen e kontributeve të rimëkëmbjes COVID-19 për të mbledhur të ardhurat e nevojshme për një rimëkëmbje gjithëpërfshirëse. Këto kontribute (të mos ngatërrohen me një “taksë pasurie”, e cila synon pasuritë neto të familjeve, të tilla si investime në aksione dhe bono), me status të mirë financiar, mund të marrin formën e tarifave shtesë mbi taksat e të ardhurave personale ose “Fitime të tepërta”. Ideja themelore do të ishte që ata që kanë mundësi të paguajnë më shumë – individë me të ardhura të larta ose biznese me fitime të jashtëzakonshme – duhet të japin një kontribut më të madh nga fitimet e tyre. Kjo strategji njeh rëndësinë e kohezionit shoqëror në përballimin e krizës. Ndërsa shumë punëtorë të restoranteve, pronarë të bizneseve të vogla dhe mijëra të tjerë kanë humbur jetesën e tyre, bizneset e tjera – të tilla si disa syresh në sektorin farmaceutik dhe shumë të tjerë që janë dixhitalizuar tepër- kanë gëzuar fitime të mëdha.

Ekziston një precedent historik për shtesat e përkohshme të taksave mbi të ardhurat personale gjatë rrethanave të jashtëzakonshme. Gjermania zbatoi një të tillë në 1991 në prag të ribashkimit, ashtu si Australia në 2011 pas përmbytjeve me pasoja të rënda në Queensland dhe Japoni në 2013 pas tërmetit Tohoku. Një taksë e tillë zbatohet në mënyrë tipike si një shtesë e thjeshtë mbi tatimin mbi të ardhurat personale dhe kështu forcon progresivitetin e taksës bazë, ndërsa është e lehtë për tu vendosur. Në vendet ku taksa ekzistuese nuk është shumë progresive, do të ishte e rëndësishme të hartohet suporti në mënyrë progresive.

Taksat mbi fitimet e tepërta – kontributet nga bizneset që përparojnë gjatë ose pas një krize – u përdorën në Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera gjatë dhe pas dy luftërave botërore, duke mbledhur shuma të konsiderueshme parash. Për të parandaluar çdo ndikim negativ në investime dhe rritje të ekonomisë, këto taksa u vunë vetëm sipas vlerësimit – domethënë, pjesa e fitimeve që tejkalon një kthim normal të kërkuar për të bërë një veprimtari fitimprurëse.

Për të plotësuar këto përpjekje të brendshme, FMN beson se një marrëveshje për të reformuar taksimin ndërkombëtar të shoqërive – duke e bërë atë më të aftë për të arritur rendiment ekonomik dhe duke kufizuar konkurrencën e dëmshme – duhet të jetë një përparësi në një ekonomi globale gjithnjë e më shumë e formuar nga dixhitalizimi dhe automatizimi . Një marrëveshje e tillë do të ndihmonte gjithashtu në rritjen e të ardhurave në një mënyrë progresive.

Nevoja për solidaritet

Pandemia është një provë e solidaritetit shoqëror, kohezionit dhe efektivitetit të qeverisë. Individët të cilët janë dëmtuar nga pandemia ka të ngjarë të kërkojnë më shumë politika rishpërndarëse. Nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, këta qytetarë mund të zhgënjehen dhe të humbin besimin tek qeveria. Po kështu, kur kriza të lehtësohet, nëse qeveritë perceptohen se kanë mbështetur individë dhe korporata të pasura më krahasuar me ata që kanë sakrifikuar dhe janë dëmtuar më shumë, do të ekzistojë rreziku i reagimit politik ose trazirave sociale. Situata është delikate. Politikbërësit duhet të ofrojnë jo vetëm në frontin shëndetësor, por edhe në politikat që nxisin shpërndarjen më të barabartë të të ardhurave dhe qasjen në shërbimet qeveritare.

Në përgjithësi, ndërsa përballja me detyrën e vështirë të nxitjes së rimëkëmbjes ekonomike duke mbrojtur shëndetin e financave publike, politikëbërësit duhet ti vënë gishtin kokës dhe të mirëkëshillohen për të siguruar që ata që janë më të lënduar të mos ndihen të lënë pas dore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë