Gazeta Si – FIFA duhet të dëmshpërblejë punëtorët emigrantë të shfrytëzuar për përgatitjet e Botërorit të Katarit. Ky është përfundimi i një sondazhi global të bërë nga ‘Amnesty International’.
Sondazhi në fjalë është zhvilluar nga data 16 gusht deri më 6 shtator. Dhe sipas tij, gati 2/3-at (73%) e më shumë se 17.000 personave të rritur të 15 vendeve, gjykojnë se FIFA duhet të rimbursojë punëtorët për dëmet e pësuara në punë për ndërtimin e stadiumeve në Katar.

Mbështetja ndaj punëtorëve është më e madhe nga ata që do të shohin të paktën një ndeshje në televizor. Për 67% të personave të intervistuar, federata e vendit të tyre duhet të mbajë qëndrim për shkeljen e të drejtave të njeriut.
“Duhen edhe 50 ditë deri në fillimin e Botërorit dhe FIFA ka kohë të bëjë atë që duhet. Tifozët nuk duan një Botëror futbolli të njollosur nga shkelja e të drejtave të njeriut.
Për të kaluarën nuk ka kthim pas, por të paktën një program rimbursimi nga FIFA dhe Katari do të thotë një kompensim sado i vogël për qindra dhe mijëra punëtorë që kanë mundësuar zhvillimin e turneut”, – ka deklaruar Steve Cockburn, drejtori i programit ‘Drejtësi sociale dhe ekonomi’ i ‘Amnesty International’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




