Ekzistojnë 105 lloje ilaçesh nga të cilat duhet të qëndroni larg, sipas një sondazhi të kryer nga revista mjekësore “Precrire” e cila çdo vit publikon ‘listën e zezë’ të saj. Vlerësimi i ri bazohet në analizat farmaceutike dhe në monitorimin e vlerësimit, si për efektet anësore ashtu edhe për të dhënat e efikasitetit.
Sondazhi i kryer çdo vit në Francë paralajmëron për disa prej ilaçeve më të përdorura në Europë.
Kjo listë përfshin antiinflamatorë të përdorur gjerësisht, ilaçe pa recetë që shumë qytetarë mund të kenë në shtëpi, si dhe ilaçe me bazë argjile medicinale që përdoren në çrregullime të ndryshme gastrointestinale, shurupe për kollën e shumë të tjera. Por a mund t’i besojmë këtij vlerësimi? “Raporti është i besueshëm dhe është shkruar nga një revistë e pavarur prej 12 vjetësh. Është një hetim i bazuar në prova klinike dhe ka të bëjë me kategori të ndryshme terapeutike që variojnë nga onkologjia në gjinekologji”, thotë Giuseppe Cirino, president i Shoqatës Italiane të Farmakologjisë.
Ai thotë se duhet pasur parasysh se të gjitha barnat kanë efekte anësore, me ashpërsi dhe frekuencë të ndryshme.
“Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është që ilaçet duhet të përshkruhen siç duhet, duke marrë parasysh raportin përfitim-rrezik”.
Ajo që e bën këtë raport të besueshëm është edhe fakti se ai prodhohet nga një organizatë që financohet vetëm nëpërmjet abonimeve të përdoruesve dhe nuk përdor reklama apo aksionarë.
Produkte që mund të jenë më shumë të dëmshme sesa të dobishme
Këto 105 barna përfshijnë:
-Substancat me efekte të padëshiruara që, të dhëna klinike tregojnë se janë në disproporcion me përfitimet që ato ofrojnë.
-Barna të vjetra që janë zëvendësuar nga më të rejat
-Barna të kohëve të fundit që kanë një bilanc më pak të favorshëm të dëmit sesa opsionet ekzistuese
-Barna që nuk kanë efikasitet të provuar përtej atij të një placebo, por që mbartin një rrezik veçanërisht të madh të efekteve negative.
Por le të marrim disa shembuj praktikë të produkteve të përfshira në ‘listën e zezë’. Një kategori e përdorur gjerësisht është ajo e ilaçeve anti-inflamatore josteroidale (NSAIDs). Midis tyre, raporti emërton dy përbërësit aktivë me emrat përkatës me të cilët ata tregtohen në Francë: Aceclofenac (Cartrex), Diclofenac (Voltaren).
“Për të dyja raporti tregon praninë e një rritje të rrezikut kardiovaskular në krahasim me NSAID-të e tjera. Në këtë rast propozon si alternativë Ibuprofen ose Naproxen me dozë të kontrolluar. Ekziston gjithashtu një paralajmërim për ilaçe që trajtojnë artritin si Celecoxib (Celebrex), Etoricoxib (Arcoxia), Parecoxib (Dynastat), gjithmonë për një rritje të mundshme të rrezikut kardiovaskular në krahasim me NSAID-të e tjera.
Natyrisht, disa efekte anësore, si rritja e rrezikut kardiovaskular, nuk ndodhin me përdorim sporadik sipas kërkesës, por me përdorim të zgjatur, siç ndodh, për shembull, në sëmundjet reumatologjike. Për më tepër, duhet të kihet parasysh se këto barna përdoren shpesh nga pacientë që kanë një ose më shumë patologji shoqëruese dhe që marrin medikamente të tjera me të cilat NSAID-të mund të ndërhyjnë, duke modifikuar raportin përfitim/rrezik.
Sigurisht, ideja se mbi 100 barna mund të jenë më shumë të dëmshme sesa të dobishme për shëndetin, mund të gjenerojë një farë alarmi. Por në realitet, një lajm si ky është provë se ekziston një kontroll mbi sigurinë e barnave në Evropë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



