Nga Gazeta ‘Si’ – “Nazet” e rimëkëmbjes post-pandemike dhe kriza për punëtorë ka lëkundur jo pak dhe pritshmëritë që ata kanë ndaj “shefave”.
Paga, mosvlerësimi për punën që bëjnë, situata socio-ekonomike dhe nevoja për t’u zhvilluar profesionalisht ishin arsyet kryesore pse një pjesë e madhe e tyre po konsideronin tashmë mundësinë për të punuar jashtë shtetit.
Kështu tregonin gjetjet e sondazhit mbi kënaqësinë dhe angazhimin në punë në Shqipëri dhe Kosovë nga EPPC, një firmë konsulence për burimet njerëzore.
Nga 1102 punonjës të anketuar në Shqipëri, si në institucionet shtetërore dhe ato private, 60% e tyre shprehin pakënaqësi për punën që bëjnë ndërsa shumë të kënaqur me punën e tyre ishin vetëm 5%, kryesisht punonjës IT.
Grupmosha 18-29 vjeç ishte ajo që përbënte edhe grupin më të madh të punonjësve të pakënaqur.
Ndërtimi ishte industria e parë që kishte peshën më të lartë të punonjësve të pakënaqur dhe pas tij vinte sektori i telekomunikacioneve. Përmirësim të ndjeshëm këtë vit kishte ajo e shitjeve me pakicë.
Erald Pashaj, Drejtori Ekzekutiv i EPPC tha për Gazetasi.al se në fakt, kjo renditje u kishte dalë disi jashtë pritshmërive.

“Ne prisnim që në fakt shitjet me pakicë të ishin në vend të dytë pas ndërtimit por ky sektor është përmirësuar ndjeshëm. Dhe në fakt ashtu ka ndodhur. Ata tani po paguhen më shumë dhe njëkohësisht një pjesë e madhe edhe kanë shkurtuar orët e punës në 6.
Nuk punojnë më 8 orë si dikur dhe paguhen më shumë, gjë që ka çuar menjëherë në këtë lloj rezultati”, vijoi mandej ai.
Pashaj theksoi më tej se Shqipëria, ndryshe nga Europa dhe Amerika ende nuk i kushton aq rëndësi mirëqenies së punëtorëve.
“Nga gjetjet e sondazhit kemi parë që duhet të interesohesh për mirëqenien e punëtorëve. Ata duan që të ndihen të vlerësuar në punën që bëjnë por njëkohësisht edhe të angazhuar.
Kur një drejtues i mban të angazhuar, do të thotë që ai po kujdeset për karrierën e tyre dhe njëkohësisht i ndihmon që edhe të rriten në detyrë brenda kompanisë. Gjithashtu vihet re nga gjetjet se për një pjesë të konsiderueshme të punonjësve, balanca punë-jetë private po konsiderohet gjithnjë e më shumë e rëndësishme, gjë që në shtete si Kanadaja apo vende të tjera, ka qenë me kohë e tillë”, shtoi ndër të tjera ai.

Punonjësit në Kosovë, më të kënaqur se ato në Shqipëri
Kosova në tre vitet e fundit i ka kushtuar vëmendje më të madhe kënaqësisë së punonjësve, rezultat i cili shihet edhe nga përqindjet.
Nga 519 punonjës të anketuar atje, vetëm 48% e punonjësve janë shprehur të pakënaqur kundrejt 60 për qind që ishin në Shqipëri.

Hivzi Jetullahu, partner i EPPC nga Kosova, shpjegoi për Gazetasi.al se në tre vitet e fundit, Kosova ëshë investuar shumë për t’u ardhur në ndihmë punonjësve.
“Në vitin 2020 Kosova ka dhënë subvencione të shumta për pagat dhe për qiratë. Përpos kësaj, është propozuar dhe rritja e pagës minimale dhe kemi rritur ndjeshëm numrin e trajnimeve.
Trajnimet më herët në Kosovë kanë qenë shumë të pakta në numër dhe së fundmi po u jepet një rëndësi më e madhe. Kjo i ka mbajtur punëtorët të kënaqur dhe ka ulur përqindjen e tyre të pakënaqësisë”.
Puna në fundjavë dhe festa zyrtare, rezultatet në përmirësim
Gjatë vitit 2019, sipas të dhënave të sondazhit, 21% e punonjësve punonin gjithmonë në fundjavë dhe festa zyrtare ndërsa gjatë këtij viti, shifra ka zbritur në 18%.
Në të njëjtën ecuri pozitive, janë edhe kontratat e punës për këtë vit.
“96% e punonjësve në Kosovë deklarojnë se kanë një kontratë pune kundrejt 88% të punonjësve në Shqipëri duke lënë një segment relativisht të vogël të pambrojtur në marrëdhënien e punës, sipas Kodit të punës në Fuqi”, thekson sondazhi.

Por.. mbeten në kërkim të një pune të re
6 në 10 të punësuar në Shqipëri dhe Kosovë, pohojnë mundësinë e lëvizjes për një punë të re në një kompani tjetër gjatë vitit të ardhshëm.
Mundësinë për karrierë e cila ishte një ndër arsyet kryesore në Kosovë, Jetullahu e arsyeton për Gazetasi.al me faktin që atje nuk operojnë shumë kompani të huaja dhe shpesh punonjësit e kanë të pamundur të rriten në detyrë brenda kompanisë.
Dëshira për t’u larguar jashtë vijon të mbetet faktor kryesor.
Nën idenë që “ky vend s’bëhet” ata zgjedhin të punojnë një 3-mujorsh apo më gjatë në një vend tjetër ku mund të marrin më shumë para për një kohë shumë më të shkurtër, por kanë mbi supe dhe kosto të tjera jo vetëm financiare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




