Nga Gazeta ‘Si’- Në Kuvend ka nisur të miratohet një buxhet prej 8.8 miliardë lekësh për vitin e ardhshëm. Në letër, mund të tingëllojë i mirë: parashikon rritje pagash, pensionesh dhe fonde sociale. Ka edhe rreth 1.8 miliardë lekë për investime publike. Por realiteti nuk është letër dokumenti.
Ky buxhet, me një rritje ekonomike të parashikuar prej 3.9% — vërtitet e njëjta për shtatë vite me radhë — u garanton shqiptarëve vetëm të hanë e të jashtëqitet. Pikë së pari, sepse shifra e rritjes ekonomike në vetvete është një tregues i pesimizmit racional: me këtë ritëm nuk t’i afrohemi më shpejtësine e duhur as standardeve minimale të jetës që ka Bashkimi Europian.
Edhe pse shpenzimet buxhetore janë rritur me rreth 7%, ky zgjerim mbetet i vogël në raport me nevojat e zhvillit të vendit. Fokus i madh i është dhënë rritjes së pagave, pensioneve dhe mbrojtjes sociale — e cila është e domosdoshme — por shpenzimet kapitale për investime strategjike mbeten relativisht të kufizuara. Ndaj buxheti i ri nuk e rrit produktivitetin, nuk forcon sektorët inovativë dhe nuk zgjidh problemin e mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar.
Rritja e pagave minimale dhe e pensioneve ka një efekt të kufizuar në mirëqenie për shkak të inflacionit, kostos së jetesës dhe mungesës së punësimit cilësor dhe investimeve që krijojnë vende pune të qëndrueshme. Shpenzimet kryesore shkojnë drejt administratës dhe jo drejt rritjes së kapaciteteve prodhuese të ekonomisë.
Një shqetësim i madh mbetet drejtësia fiskale. Politika fiskale e shprehur përmes amnistisë fiskale duket se favorizon të pasurit dhe ata që shmangin taksat, ndërsa qytetarët që paguajnë rregullisht nuk gjejnë shpërblim. Në mungesë të një strategjie të qartë për të ndarë barrën fiskale dhe për të inkurajuar bizneset e vogla dhe të mesme të formalizohen, buxheti rrezikon të mbetet një instrument që vijon të ndihmojë më shumë bizneset e forta sesa qytetarët e thjeshtë.
Nga ana tjetër, kapaciteti i dobët institucional dhe korrupsioni e rrëzojnë buxhetin në praktikë. Shqipëria vazhdon të përballet me një nivel të lartë korrupsioni dhe ndikimi të interesave klienteliste në shpërndarjen e fondeve publike. Institucionet publike vazhdojnë të dallohen për mungesë transparence dhe pavarësie, duke ulur besueshmërinë dhe efektivitetin e kontrollit mbi shpenzimet.
Ky vit sjell edhe një kontekst të ri: SPAK dhe hetimet në nivele të larta drejtuese kanë krijuar një mjedis të bllokuar, të frikësuar brenda një administrate që nuk dallon për cilësi ekzekutive.
Administrata publike duket e mpirë nga frika: pak njerëz marrin vendime, shumica refuzojnë të firmosin, dhe vendimet vonohen. Fryma e përgjegjësisë mungon nga frika e vendimeve të paqarta e të kontestueshme, qoftë edhe nga drejtësia e re.
Më shumë sot kanë rëndësi tabulatet e përgjimeve që enkas dalin në media sesa draftet e projekteve të zhvillimit.
I njomi e i thati janë bërë bashkë dhe është mëse e pritshme të krijohet një periudhë pritjeje derisa të shpërndahen retë. Por një buxhet i mirë, pa njerëzit që do ta ekzekutojnë dhe në një mjedis të bjerrë vetëm një gjë garanton: sonambulizëm.
Atëherë ç’kuptim ka të flasim për buxhetin e ri që personifikon të ardhmen, kur e ardhmja është njësoj si sot, e kur në buxhet secili nga ne është veç një numër pa aspirata?!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




