Gazeta Si – Një gjest i bukur vjen nga Shkodra, nga klubi i Vllaznisë. Presidenti i skuadrës, Alban Xhaferi, ka vendosur që të gjitha të ardhurat e ndeshjes Vllaznia-Tirana, që luhet nesër në “Loro Boriçi”, të shkojnë si ndihmë për të prekurit nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë dhe Sirinë disa ditë më parë.
Komuniteti sportiv në mbarë botën është solidarizuar me turqit dhe sirianët në këtë moment shumë të vështirë. Kontributet financiare janë të shumta, së fundi edhe UEFA ka dhuruar 200 mijë euro për skuadrat e shpëtimit që janë impenjuar për nxjerrjen e trupave nga rrënojat.

Në Shqipëri, ky i Vllaznisë është rasti i parë domethënës nga bota e sportit. Për ndeshjen me Tiranën pritet të grumbullohet një sasi e konsiderueshme parash nga shitja e biletave. Shuma në fakt pak rëndësi ka, iniciativa është për t’u përshëndetur.
“Klubi futbollit Vllaznia, presidenti Alban Xhaferi, i bën thirrje tifozerisë së zjarrtë kuqeblu ta mbeshtëse ekipin e zemrës në klasiken e futbollit shqiptar, që luhet të dielën në ‘Loro Boriçi’. Meqenëse tragjedia e tërmetit në zonat ndërmjet Turqisë dhe Sirisë ka prekur thellë zemrat e gjithësecilit prej nesh, ka vendosur që të ardhurat që do të vijnë nga organizimi i ndeshjes me Tiranën, të shkojnë si kontribut për ndihma për tërmetin.
Lutjet tona shkojnë për të gjitha viktimat e kësaj fatkeqësie dhe shpresojmë në rikuperimin sa me të shpejtë të të dëmtuarve. Eja dhe ti për të mbështetur skuadrën e zemrës dhe për të kontribuuar sadopak në këtë tragjedi të jashtzakonshme njerëzore!”, – shkruhet në njoftimin e klubit shkodran në faqen e vet zyrtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




