Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama tha se Partia Socialiste ndodhet në një udhëkryq dhe sprovë teksa mblodhi grupin socialist parlamentar këtë të enjte.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, Rama nënvizoi se, krahas raportimeve sektoriale nga ministrat, ishte e domosdoshme të ndahej me publikun një vlerësim i drejtpërdrejtë mbi situatën aktuale.
Sipas Ramës, pas arritjeve të Shqipërisë, vendi përballet me sfida që shkojnë përtej axhendës së zakonshme qeverisëse.
Ai theksoi se momenti aktual po vë në provë aftësinë udhëheqëse dhe pjekurinë politike e shoqërore, duke nënvizuar se diferenca mes pikës ku ndodhet sot Shqipëria dhe objektivit përfundimtar drejt integrimit europian përcaktohet nga mënyra se si shfrytëzohet çdo ditë dhe çdo detaj i procesit qeverisës.
“Jemi në një udhëkryq të ri. Ndërkohë që ekonomia ecën me ritmet e parashikuara, duke riafirmuar një rritje të qëndrueshme, e pakrahasueshme me asnjë periudhë të mëparshme, ndërkohë që Shqipëria vazhdon të shkëlqejë ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, ndërkohë që projektet në zhvillim apo në plan për t’u zhvilluar këtë mandat janë më ë shumta se kurrë më parë, udhëkryqi ku ndodhemi sot, paraqet sipas meje disa rreziqe, që kërkojnë adresim të vendosur dhe disiplinë të fortë nga ana jonë”, tha Rama për deputetët.
Më tej, Rama u ndal te procesi i negociatave me Bashkimin Europian, që tanimë ka hyrë në fazën e testimit.
“Tani që flasim kemi arritur hyrjen në kapitullin e ri të procesit që është vlerësimi dhe pastaj marrja e dritës jeshile për ato që quhen pikat e ndërmjetme, që janë një test i vështirësisë së lartë. Kjo do forcë!”, tha ai, duke u shprehur besimplotë se ky test do kalohet pavarësisht “shkopinjve nëpër rrota”.
Rama e ka mbkledhur grupin parlamentar nëpritje të një qëndrimi nga mazhoranca për “çështjen Balluku”.
4 ditë më parë prokurorët e SPAK me argumente shtesë i kërkuan Kuvendit autorizim për arrestimin e zv/kryeministres.
Pas mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në seancën plenare do të paraqiten dy raporte mbi kërkesën e SPAK për Ballukun.
Partia Demokratike ka deklaruar votën pro dhënies së autorizimit, ndërsa përfaqësuesit socialistë janë shprehur se masa aktuale e pezullimit ndaj saj është e mjaftueshme dhe nuk pengon vijimin e hetimeve.
Megjithatë, mazhoranca pritet të dalë sot me një qëndrim zyrtar mbi çështjen e Ballukut, e cila ka dominuar debatin politik muajt e fundit, një zhvillim i paralajmëruar edhe nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje