Taksa

Socialistët pranojnë dështimin me taksën progresive mbi të ardhurat personale

Sabina Veizaj - 5 mld lekë çdo vit i ka kushtuar buxhetit të shtetit kalimi nga taksa e sheshtë në atë progresive për zërin të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale”.
Këtë fakt e bëri me dije Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Finacave Niko Lera gjatë prezantimit të Projektbuxhetit 2020 në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese duke sqaruar pse këtë vit të ardhurat nga ky zë parashikohen 47.5 miliardë lekë, në të njëjtin nivel me pritshmëritë e vitit 2019.

Në parashikimin e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale sipas Lerës janë marrë në konsideratë: ulja e të ardhurave nga tatimi mbi dividentin, pasi në vitin 2019 u arkëtua përvec dividentit të vitit 2018 edhe dividenti i viteve të kaluara. Pra ky faktor llogaritet për rreth 6 miliard lekë. Rritja e numrit të të punësuarve, bazuar në ecurinë e vitit 2019; Rritja e të ardhurave të tjera personale.

Që prej hyrjes në fuqi të taksës progresive asnjë i punësuar me rrogë nuk është pajtuar me politikat fiskale të qeverisë në lidhje me tatimin mbi të ardhurat personale dhe shtimin e një sërë taksash të tjera.

Sipas të dhënave të Eurostat Shqipëria paguan për ushqim mbi 30% të PBB-së, përqindja më e lartë në rajon dhe Europë.

Pjesën e mbetur e paguan për taksa e tatime.

Gazeta "Si" ka marrë një shembull për një familje duke përllogaritur se sa shpenzon ajo për taksa dhe sa i mbeten për shpezime të tjera a kursime.

Por, nëse dy bashkëshortët do të jenë të dypunësuar, në 2020, tatimi mbi të ardhurat personale të tyre do të llogariten ndryshe.

Qeveria ka vendosur që individët që kanë më shumë sesa një pagë, në fillim të vitit pasardhës do të duhet të deklarojnë të ardhurat dhe të llogarisin tatimin si mbi një pagë të vetme për vitin paraardhës, edhe nëse kanë të ardhura nën 2 mln lekë në vit (aktualisht deklaratën e bëjnë ata që kanë të ardhura mbi 2 mln lekë në vit).

Sipas kreut të Tatimeve, ky vendim është marrë pasi dypunësimi ishte një burim shmangieje, dhe kjo sipas saj nuk është e drejtë. Janë 24 mijë individë, tha ajo, ndër të cilët inxhinierë arkitektë, shefa guzhine, etj të cilët kanë bërë shmangie fiskale me qëllim që të deklaronin më pak tatim mbi të ardhurat. Pjesa më e madhe e këtyre individëve janë me paga të larta dhe si rrjedhojë ata i kap tatimi prej 23% për pagat mbi 150 mijë lekë.

Eksperti Zef Preçi e sheh me pesimizëm paketën e re fiskale të qeverisë për 2020-ën, rregullimet në ligjet e vjetra dhe politikat fiskale deri më tani që janë përpjekur të luftojnë intelektualin dhe njeriun e punës sipas tij, që në të vërtetë duhej të ndodhte e kundërta, të nxitej puna e ndershme.

Zef Preçi, Instituti Shqiptar për Kërkime Ekonomike

Sipas tij qeveria në incentivat fiskale është nisur nga një grusht oligarkësh të cilët i kanë nxitur këto lehtësira duke filluar që nga ulja e tatimit mbi dividentin që është një tatim që paguajnë pronarët e aksioneve të korportatave të mëdha në momentin që korporata u shpërndan atyre divident nga fitimet, TVSH për hotelet e luksit, tregun e automjeteve të luksit.

Për Preçin ndryshimet e paketave fiskale kanë qenë në favor të kapitalit, jo të krahut të punës, që sipas tij, është tipar për qeverisjet e djathta, jo të majta.

Për Preçin ajo që duhet incentivuar është puna. “Njerëzit që kanë mundësi të punojnë, të rriten intelektualisht po stepen, sepse kjo qeveri po i godet me taksa”, thotë Preçi.
Sipas tij, është koha e rikthimit të taksës së sheshtë, pasi nisur edhe nga të ardhurat prej këtij zëri, vihet re mjaft mirë nxitja e informalitetit. Për Preçin, taksa progresive e ka nxitur më tej informalitetin duke bërë që punëdhënësit një pjesë të pagave e kalojnë në bankë dhe një pjesë nën dorë për efekt të kontributeve.

Edhe për Ilir Hysën ekspert pranë Moody's Corporation, sistemi i mbledhjes së taksave dhe tatimeve në Shqipëri është bërë më agresiv në vitet e fundit, por jo domosdoshmërisht më efiçent.

Ilir Hysa, ekonomist i lartë pranë Moody's

“Fakti që qeveria ka arritur të përdorë mekanizma, të drejtë e të padrejtë, që mundësojnë mbledhjen e detyrimeve tatimore nuk do të thotë se është arritur një zgjidhje fiskale efiçente. Në fakt, problemi kryesor është se rritja e ndjeshme e taksave e tatimeve ka rritur njëkohësish edhe revoltën e hapur dhe të heshtur të taksa- dhe tatimpagueve, dhe një gjë e tillë nuk është e shëndetshme për një ekonomi. Kuptohet që askund, përfshirë vendet e zhvilluara, taksapaguesit nuk lumturohen kur rriten taksat.” – thotë Hysa.

Sipas tij, çështja është çfarë besojnë qytetarët dhe pronarët e bizneseve? Pse u rritën taksat dhe tatimet? Në një vend si Shqipëria perceptimi i një korrupsioni të lartë, thotë ai, errëson gjithçka dhe ushqen armiqësinë ndaj institucioneve dhe besimin se fondet e mbledhura ose do të vidhen ose do të shpërdorohen. “E theksoj, nuk është e thënë se do të ndodhë kështu, por ky mbetet perceptimi që mbizotëron. Pra, efiçenca e mbledhjes së taksave dhe tatimeve varet para së gjithash nga raporti i qytetarit me institucionet si dhe nga shkalla e profesionalizmit dhe transparenca e këtyre të fundit”, sqaron Hysa për Gazetën “Si”.

Në fakt për Hysën sistemi progresiv mendohet si më i përshtatshmi në realitetin shqiptar sepse, shpjegon ai, individët dhe bizneset në nivelet e ulëta të të ardhurave do të trajtoheshin ndryshe nga të tjerët. “Pra një sistem i bazuar në taksë të sheshtë do të injoronte diferencat e mëdha ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, të vegjëlve dhe të mëdhenjve. Në këtë sens, edhe taksa e sheshtë për korporatat në masën 15%, do të ishte mirë të strukturohej si taksë progresive. Për këtë arsye, edhe taksa e sheshtë aplikuar më herët, kombinuar me të ardhurat nga ekonomia informale, kanë kontribuar në masë të konsideruaeshme në polarizimin e të ardhurave në Shqipëri”- shprehet eksperti Hysa.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Artur Papajani është pro një sistemi të thjeshtuar taksash me taksa të ulta.

Artur Papajani, Ish Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve

Historiku ynë, thotë ai, ka treguar që ka qenë më efikase mbledhja e tatimeve e taksave kur ato ishin deri në një të mesme prej 10 %, që u quajt taksë e sheshtë.

“Pra pavarësisht se kundrejt PBB mund të duket se ndoshta në vitin 2017 u arkëtuan më shumë para kundrejt PBB, dua të sqaroj që nga momenti i funksionimit të taksës së sheshtë janë rritur shumë tatime e taksa ( të ardhurat shkuan të gjitha nga 10 në 15%, taksat e qarkullimit pra ato tek karburanti me herë, akciza po ashtu pothuaj me herë dhe përpos tyre u shtuan taksat lokale (p.sh, taksa infrastrukturës shkollore, taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet, nga 4% e kostos së objektit është në 8 % e shitjes së tij, etj.).”-thotë Papajani.

Për të duhet të ulen taksat nacionaledhe të bëhen përmirësime psh, të ulet taksa e të ardhurave nga qiratë nga 15 % në 5 %, e si efekt, sipas Papajanit, të ardhurat do të rriten me herë.

Nëqoftëse qeveria nuk ka në program ulje të tjera taksash, thotë Papajani, ajo duhet që brenda kufijve ekzistues të taksimit të aplikojë incentiva favorizuese që gjithsesi nxisin iniciativën e lirë.

Ekspertja Zana Guxholli gjykon se “në bazë të eksperiencave të vendeve të ndryshme, sidomos të atyre në zhvillim, tregojnë që thjeshtimi i sistemit të taksave dhe ulja e tyre kanë dhënë rezultate pozitive në këtë drejtim duke rritur sasinë e të ardhurave nga taksat të mbledhura në buxhet dhe për pasojë dhe përqindjen e tyre ndaj PBB-së. Kjo sepse një barrë e ulët mbi të ardhurat apo fitimet, pra një taksë e ulët, ul informalitetin”

Zana Guxholli, eksperte në fushën e Ekonomisë

Të ardhurat që duket sikur humbin nga ulja e taksës, shpjegon Guxholli për Gazetën “Si”, kompensohen nga zgjerimi i bazës së taksueshme, nga rritja e numrit të atyre që paguajnë taksa në menyre formale, nga lehtësia me të cilën menaxhohet sistemi i taksave nga të dyja përqasjet, shteti dhe individët apo biznesi, nga një disiplinë e zbatimit të ligjit etj.
“Filozofia e taksimit bazohet në: kë/çfarë takson - me se e takson dhe si e takson. Në këtë rast takson atë që mezi mbahet në këmbë, që ushqen familjen duke punuar 24orë/7ditë”, thotë Guxholli.

Për ekspertin Elvin Meka thelbi qëndron tek përkthimi i barrës së taksave drejt të mirave publike dhe mirëqenies së përbashkët, çka nënkupton, sipas tij, që rezistenca për të paguar detyrimet fiskale rritet me rritjen e perceptimit publik se tatimet dhe taksat e vjela nuk konvertohen në më shumë të mira publike dhe shpërdorohen nga nëpunësit e zgjedhur publikë.

Elvin Meka, ekspert në fushën e Ekonomisë


Në vendet në zhvillim, sqaron ai, ku kultura e sipërmmarjes dhe pagimit të taksave është në një nivel modest, shtrohet gjithnjë diskutimi nëse duhen aplikuar taksa të ulëta apo të larta. Diskutimi këtu është përsëri relativ, pasi duhet të përcaktohet “sa e ulët” është “e ulëta” dhe më kryesoret: sa rritet efikasiteti i mbledhjes së taksave; sa reale është “ulja” e barrës fiskale në total, nëse “ulet” vetëm niveli i tatimeve direkte, por rriten ato indirekte; sa ndikojnë taksat e ulëta në rritjen thelbësore të të bërit biznes, që në kthim ka për rezultat rritjen dhe zgjerimin e bazës së tatimpaguesve; sa kjo ule e barrës fiskale nuk do të cënojë rritjen ekonomike dhe mosrritjen e shkallës së borxhit publik; sa do të ndërgjegjësohen tatimpaguesit për detyrimin që kanë për të paguar të gjithë tatimet dhe taksat e tyre; sa më pak abuzive do të bëhet në kohë administrata fiskale dhe sa më shumë profesionale do bëhet ajo nga një politikë fisakle me nivele të ulëta taksimi; etj.

Në një kohë kur qeveria parashikon të shtojë 35 mijë vende të reja pune për 2020-ën, pritet të mbledhë nga kontributet 2,1% më pak se vitin e kaluar dhe më pak se sa mesatarja e katër viteve, duke ndryshuar edhe tatimin mbi të ardhurat personale për ata që kanë më shumë se një punë dhe njëkohësisht pret të mbledhë në rakun e shtetit nga ky zë të njëjtën sasi me të pritshmin e 2019-ës, tregon se diçka serioze nuk shkon.

Shifrat nënkuptojnë parashikimin e marzhit të informalitetit, që siç e shpjegojnë ekspertët është rritur i nxitur nga rritja e taksave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë