Nga Gazeta “Si”-Socialistët po kërkojnë një kandidat për president dhe nuk e fshehin më se i ka marrë malli për një president socialist. Kjo u duk qartë kur vetë kryeministri tha pak ditë më parë se i kanë votat për të mbaruar punë. Ka një shpjegim për këtë nuancë përmallimi.
Partia Socialiste ka 20 vjet pas Rexhep Mejdanit që nuk sheh një njeri të sajin në krye të shtetit. Ndërkohë Edi Rama është stomak prishur nga presidenca e Ilir Metes, ndaj do të donte më pak “andralla” për 5 vitet që vijnë. Megjithatë PS ka hapur një proces që do të duket perfekt sipas saj.
Të majtët e ‘Sheshit Skënderbej’ po i shkelin syrin kushtetutës sipas të cilës, ka vend edhe për konsensus, por ka vend edhe për të shmangur krizën politike.
E sigurt është që kandidati për president nuk do të vijë nga emigracioni. Kushtetuta ia ndalon një shqiptari apo shqiptareje që nuk ka jetuar 10 vitet e fundit në Shqipëri të bëhet kryetar shteti.
Pastaj çdokush që ka mbushur 40 vjeç, mjafton që nuk ka bërë burg, mund ta provojë fatin.
Kushtetuta jonë është minimaliste në pjesën ku shkruhet për kriteret që duhet të ketë një kandidat. Për këtë arsye ka shpërthyer edhe loja e emrave.
Deputetët socialistë i kanë treguar me shkrim propozimet për kandidatët e mundshëm dhe burimet për gazeta “Si” thonë se fryma e grupit është që vendi duhet të ketë një president apo presidente që vjen nga socialistët.
Emrat që kanë shkruar deputetët socialistë mbeten konfidencialë. Sipas porosisë së kryetarit të grupit socialist, procesi është i rëndësishëm për këtë fazë.
Megjithatë gazeta “Si” mundi të mësojë se ithtarët e Ramës në grup, nuk e kanë kursyer veten dhe e kanë propozuar kryeministrin si kandidat për president. Po ashtu ka patur deputetë që kanë propozuar Taulant Ballën apo Bardhyl Kollçakun.
Megjithatë garën e kanë dominuar 4 emra grash.
Mimi Kodheli dhe Lindita Nikolla janë në pole position. Nuk mbeten prapa dy zonja me karriera larg partisë socialiste, por që kanë milituar brenda dhe rreth partisë rozë. Bëhet fjalë për Valentina Leskajn dhe Vali Bizhgën.
Ka deputetë që kanë shënuar dy emrat e Kodhelit dhe Nikollës dhe propozim të tretë Fatmir Xhafajn.
Kodheli nuk është e panjohur për influencën komunikuese që ka në grup, jo vetëm për shkak të zonave të vështira ku është zgjedhur deputete, por edhe për shkak të një profili jo tradicional të gruas në politikë.
Lindita Nikolla nuk është një politikane karriere për karrierë, por është duke kaluar butësisht provën e drejtimit të Kuvendit me atë qetësinë religjoze.

Vali Leskaj është e zhveshur nga interesat brenda grupit dhe mbase është një grua deputete që Rama e trashëgoi nga Fatos Nano me të njëjtin profil të pandryshuar, jo konfliktuale.
Nuk është ky rasti për Vali Bizhgën, e cila vjen si emër surprizë mes socialistëve të vjetër. Ata e njohin nga bashkia e Tiranës kur e drejtonte Edi Rama dhe socialistëve të rinj që e njohin pas kurrizit të Ramës me fuqinë që të jep kabineti i një kryeministri.

Gjithësesi socialistët e vjetër në grup nuk janë përfshirë aktivisht në këtë proces, por sigurisht edhe ata kanë dorëzuar emrat. Mbase janë mësuar prej eksperiencës së mëparshme parlamentare, kur gabimet bëhën mësim në politikë. Rasti i Ilir Metës duket se i ka kthjelltësuar socialistët e Ramës.
Për momentin emrat e kandidatëve nuk kanë krijuar rryma në PS. Sipas traditës, kur përballë kanë një nuhatje negative politike, socialistët bashkohen rreth kryetarit të tyre dhe veprojnë pa rrjedhje votash.
Procesi do të jetë kushtetues, do kërkohet konsensus, por në fund vendi nuk ka pse kalon krizë politike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




