Mbrëmë në mesnatë përfundoi afati për regjistrimin e kandidaturave për kryetar bashkie në zgjedhjet e 30 qershorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nisur nga protesta e djeshme e opozitës, kishte zhvendosur vendin e regjistrimit në magazinat e saj në Lundër për të shmangur bllokimin e procesit.
Partia Socialiste me koalicionin e saj politik “Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të ketë rival “Bindjen Demokratike” dhe koalicionin tjetër politik “Shpresa për Ndryshim”. Ky koalicion opozitar ka në përbërje 7 subjektet politike: Partia Bashkimi Liberal Demokrat; Partia Demokracia e Re Europiane; Partia Aleanca Popullore; Partia Balli Kombëtar; Partia e Emigracionit Shqiptar dhe Partia Ora e Shqipërisë.
“Bindja Demokratike” ka dalë në këto zgjedhje me 23 kandidatë për kryetar bashkie, ndërsa do të mbështesë dy kandidatët e pavarur në Sarandë dhe në Klos.
Një lajm i tillë është bërë publik nga vetë drejtuesi i kësaj force politike, Astrit Patozi. “25 kandidatë për kryetarë bashkie dhe 50 lista për këshilltarë në të gjithë Shqipërinë. Mirënjohje dhe respekt të gjithë atyre që e mbështetën dhe e inkurajuan atë që në hapat e saj të parë! Na prisni më 30 qershor!”, shkruan Patozi në Facebook.
Më pas lista u shpall zyrtarisht nga zëdhënësja BD-së, Antonela Bregu, e cila bëri të ditur se bashkitë ku Bindja Demokratike do konkurrojë me listat e këshilltarëve bashkiak.
Të 50 qytetet që kanë lista këshilltarësh janë: Belsh, Berat, Bulqizë, Cerrik, Delvinë, Devoll, Dibër, Divjakë, Dropull, Durrës, Elbasan, Fier, Finiq, Gjirokastër, Gramsh, Has, Himarë, Kamëz, Kavajë, Këlcyrë, Klos, Kolonjë, Konispol, Korçë, Krujë, Kukës, Kurbin, Lezhë, Libohovë, Librazhd, Lushnje, Malësi E Madhe, Maliq, Mallakastër, Mat, Mirditë, Patos, Peqin, Përmet, Pogradec, Prrenjas, Roskovec, Rrogozhinë, Sarandë, Selenicë, Shijak, Shkodër, Skrapar, Tepelenë, Tiranë, Tropojë, Vau Dejës, Vlorë dhe Vorë.

Në Tiranë kandidati i kësaj force politike është Arben Skënderi. Një artist që dikur ka punuar edhe në Bashkinë e Tiranës, në kohën kur ky institucion drejtohej nga kryedemokrati Lulzim Basha.
Në Durrës, “Bindja” do të kandidojë me Valbona Sakollarin, e cila do të rivalizojë kandidaten e PS-së, Valbona Sako. Një emër i ngjashëm rivalësh që mund të ngatërrojë zgjedhësit e Durrësit në ditën e votimit.
Në Lezhë, “Bindja” ka një kandidat të fortë, Salvador Kaçajn, ish-kryetarin e Komunës së Shëngjinit, dikur pjesë e PDK-së dhe PD-së. Për Vlorën, “Bindja” do të kandidojë Valbona Mezinin, e cila ka qenë anëtare e Kryesisë së PD-së.
Abedin Uruçi është një nga emrat e “Bindjes Demokratike” për Bashkinë e Kukësit. Ai ka qenë i zgjedhur i socialistëve për Komunën e Kolshit vite më parë.
Ish-kryetari i PD-së për Malësinë e Madhe, Pjerin Spathari do të kandidojë nën siglën e “Bindjes” për këtë Bashki.
Ilir Nikolla në Sarandë, ish-nënkryetar i PD-së, kandidon si i pavarur, por që mund të mbështetet nga ana e “Bindjes Demokratike”.
Nikolla, i cili ka qenë kandidat për deputet i Partisë Agrare Ambientaliste në zgjedhjet e fundit parlamentare, në një reagim për Gazeta “Si” shprehet se do të kandidojë si i pavarur në votimet e 30 qershorit.
Në Korçë, Leonard Olli do të përballet me Sotiraq Filon. Olli ka qenë anëtar i PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Inxhinier Pavllo Shkarpa do të jetë kandidati tjetër që do të jetë rivali i Ervin Demos të PS-së për Bashkinë e Beratit. Kreu i “Bindjes”, Patozi, ka deklaruar se partia e tij do të mbështesë kandidatët e pavarur.

Kështu ish-deputeti i PD-së, Bedri Hoxha kandidon si i pavarur për Bashkinë e Klosit. Ndërsa një emër interesant është ai i Fredi Bejlerit që kandidon për Bashkinë e Himarës, i cili është përfaqësues i PBDNJ-së, por që më 30 qershor do të kandidojë si i pavarur.
Në shumicën e bashkive gara do të jetë vetëm me një kandidat. Partia Socialiste ka depozituar 61 kandidatët për kryetarë bashkie. Emri i fundit i përcaktuar ishte ai për Bashkinë e Peqinit, ku e majta do të konkurrojë me Lorenc Toskun.
Kandidatët e “Bindjes Demokratike” për kryetarë bashkie
Berat- Pavlo Shkarpa
Bulqizë – Ilir Balla
Cerrik- Merita Xhika
Devoll- Fejzi Shaholli
Durrës – Valbona Sakollari
Dibër – Shkëlzen Qoka
Kolonjë- Fatjon Feka
Gramsh- Sabri Ibrahimi
Kavaje- Bledar Sinella
Kamez-Ylber Gjeta
Kelcyre-Shkelqim Muhaj
Korçë- Leonard Olli
Kukës- Abedin Uruçi
Kurbin – Edmond Piroli
Lezhe – Salvador Kaçaj
Koplik- Pjerin Spathari
Selenicë- Marildo Hodaj
Skrapar-Dejvis Hebibasi
Shijak- Arben Pohumi
Tirane – Arben Skënderi
Tepelenë- Gëzim Malka
Tropojë- Edison Hasanaj
Vlorë- Valbona Mezini
Klos- Bedri Hoxha i pavarur, mbështetet nga BINDJA
Sarandë- Ilir Nikolla, i pavarur mbështet nga BINDJA
Të pavarurit për kryetar bashkie
Kurbin, Nikoll Lleshi
Klos, Bedri Hoxha
Berat, Plarent Aleksi
Devoll, Fezi Shaholli
Himarë, Dhionisios Beleri
Sarandë, Ilir Nikolla
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




