Politike

Incidente në protestë, tymuese e molotov mbi Bashki, Këlliçi: SPAK po heton pasurinë e Veliajt

Nga Gazeta Si – Protesta para Bashkisë së Tiranës është mbyllur pas rreth 90 minutash ku nuk munguan hedhja e molotovëve dhe tymueseve që në nisje, ndërkohë që policia apelonte që të ndalen.

Në fjalën e tij, demokrati Belind Këlliçi tha se Erion Veliaj po hetohet nga BKH dhe SPAK për pasurinë, së bashku me familjarët e tij si dhe në ditët në vijim do të publikohen dokumente në lidhje me aferën e inceneratorëve.

“Erion Veliaj do të mbahet mend si simboli i vjedhjes dhe i hajdutërisë. Vjedhja që kemi parë në këto 9 vite në bashkinë e Tiranës është më e madhe se në Afrikën e Jugut. A e imagjinoni se sa para ka marrë Erion Veliaj. Ne nuk tërhiqemi pa e çuar Veliajn aty ku e meriton”, tha Këllici, duke iu drejtuar Veliajt me fjalët “Ti vërtetë sot ke halle sepse po të bëhet një hetim pasuror nga SPAK dhe BKH, ty dhe familjarëve të tu për paratë që ke vjedhur, Ti që rrahe gjoksin dhe the se ke punësuar 11700 punonjës”, tha ai.

Në protestë nuk kanë munguar as incidentet midis qytetarëve. Ndërkohë që po mbaheshin fjalimet në podium, qytetarët kanë debatuar me njëri-tjertin për shkaqe që nuk dihen dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të ndarë konfliktin.

Një tjetër incident ka ndodhur më pas. Në një moment ikën dritat dhe u ndërpre fjalimi për disa minuta.

Më pas ka reaguar Dorian Teliti i cili tha se pavarësisht tentativave për të fikur dritat, protestat e opozitës nuk do të ndalen.

“Ata kanë hipur në tarracë që të bëjnë foto dhe video. Edhe pse do t’i heqin dritat opozitës, protesta nuk do të ndalet kurrë. Nuk ndalon protesta, se ju përfaqësoni diktaturën”, tha ai.

Ashtu siç ka ndodhur dhe në protestat e mëparshme para bashkisë së Tiranës, edhe këtë herë, protestuesit kishin marrë me vete vezë, mollë dhe portokalle për ti hedhur drejt bashkisë.

Godina ishte e rrethuar nga forca të shumta policore ku ishte vendosur edhe gardh metalik për të mos lejuar protestuesit të afrohen drejt godinës. Ndryshe nga protestat e mëparshme, këtë herë nuk kishte tentativa për të rrëzuar gardhin.

Opozita dhe përfaqësues të Aleancës për Teatrin prej disa javësh radhazi protestojnë para Bashkisë për dosjen 5D që çoi në pranga disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të institucionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë