“Me atë gjënë aty nuk udhëtoj, nuk më pëlqen ky avion”. Ky ishte pak a shumë reagimi i sulmuesit Pier-Emerik Aubamejang, kur ka mbërritur në aeroport bashkë me shokët e tij të kombëtares së Gabonit, që po bëhej gati të udhëtonte drejt Sudanit për ndeshjen e radhës. Ai vendosi të mos hipte në avion dhe të kthehej në Angli. Një kapriço e lojtarit të Arsenalit, por ndoshta edhe një preteks për t’u kthyer në Londër, siç ka ndodhur më pas. Në fakt, të gjithë futbollistët kanë pasur dyshime, kur kanë parë aeroplanin që Federata e Gabonit kishte vënë në dispozicion të tyre për udhëtimin për në Sudan.
Diferenca mes lojtarit të Arsenalit dhe shokëve të tij është se “PEA”, siç e thërrasin të gjithë, ka pasur polemika me drejtuesit e Federatës. Gjendja e avionit, sidomos në krahun e tij të majtë, e shtyu sulmuesin e njohur të kthehej në Londër për t’u stërvitur me Arsenalin dhe për të mos udhëtuar bashkë me kombëtaren e tij.
Sa për kronikë, Gaboni fitoi 1-0 në Sudan edhe pa sulmuesin Aubamejang. Veprimi i fundit mund të jetë lamtumira e ish-sulmuesit të Borusias së Dortmundit nga kombëtarja e Gabonit, që synon të kualifikohet në Kupën e Afrikës, që zhvillohet vitin e ardhshëm. Aubamejang është një nga lojtarët më të njohur afrikanë dhe ylli i kombëtares së tij e Arsenalit, por pas polemikave të fundit ai me siguri do të përqendrohet vetëm te klubi I tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.