Gazeta Si – Komisioni Europian ka prezantuar etiketën e re që do të duhet të aplikohet në paketimin e telefonave inteligjentë “smartphone” dhe tabletëve të shitur brenda Unionit duke filluar nga 20 qershori.
Etiketa ka një stil të ngjashëm me ato të ofruara tashmë për pajisjet shtëpiake, si televizorët dhe frigoriferët.
Ajo do të përmbajë një klasifikim të efikasitetit energjetik të produkteve me një pikë që varion nga A (niveli më i lartë), deri në G (më i ulëti) dhe informacion në lidhje me aspekte të tjera: jetëgjatësia e baterisë, disponueshmëria e pjesëve rezervë, rezistencë ndaj rënieve, gërvishtjeve dhe kontaktit me ujin dhe lehtësinë e riparimit në rast defektesh.
Etiketa e re do të jetë e detyrueshme për telefonat inteligjentë që përdorin rrjete celulare ose satelitore, telefonat pa tela për përdorim shtëpiak, telefonat me funksion (d.m.th. telefonat celularë që përdoren vetëm për të bërë thirrje dhe për të dërguar mesazhe me tekst, pa akses në internet) dhe tabletët me një madhësi ekrani midis 7 dhe 17,4 inç.
Megjithatë, telefonat inteligjentë dhe tabletët me ekrane fleksibël, të ashtuquajturit kompjuterë tabletë (ata me të cilët mund të lidhet një tastierë dhe që përdorin një sistem operativ të ngjashëm me atë të një kompjuteri, si Ëindoës) dhe produktet që ishin tashmë në shitje në tregun e Unionit përpara datës 20 qershor 2025, do të përjashtohen nga detyrimi i etiketimit.
Përveç etiketave, BE do t’u kërkojë kompanive të respektojnë disa standarde për të siguruar qëndrueshmëri më të madhe të produktit, të tilla si rezistenca ndaj spërkatjeve të ujit, njëfarë mbrojtjeje nga gërvishtjet dhe rëniet, garancia që bateritë të ruajnë të paktën 80% të kapacitetit të tyre pas 800 cikleve të karikimit dhe furnizimin me pjesë këmbimi thelbësore brenda një maksimumi dhjetë ditë pune.
Qëllimi i etiketës është të përpiqet të bëjë efektive të ashtuquajturën “e drejta për riparim”, domethënë mundësinë që individët të zëvendësojnë në mënyrë të pavarur çdo pjesë me defekt të pajisjeve të tyre pa pasur nevojë të drejtohen te profesionistët e autorizuar nga kompanitë që i shesin ato.
Sot, shumë telefona inteligjentë zëvendësohen pas disa vitesh, jo sepse janë plotësisht të papërdorshëm, por sepse bëhen të ngadalshëm, nuk marrin më përditësime ose kanë probleme – si bateria e konsumuar – që janë të vështira ose të shtrenjta për t’u zgjidhur, përveçse duke u mbështetur në shërbimet e riparimit të ofruara nga prodhuesit.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.