Futboll

Slloveni Primoz Gliha emërohet trajner i ri i Kosovës

Primoz Gliha është emëruar trajner i ri i Përfaqësueses së Kosovës. Ka qenë faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Kosovës që ka konfirmuar se Gliha do të jetë në krye të Kosovës.

Slloveni do të ketë në staf edhe trajnerët Afrim Tovërlani, Arbnor Morina, Ahmet Beselica dhe Thomas Richards.

“Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar për çështje të ndryshme me rëndësi për futbollin kosovar si dhe për ecurinë e përgatitjeve për edicionin e ri të garave”.

“Në këtë mbledhje ndër çështjet kryesore që u diskutuan ishte zgjedhja e ekipit të trajnerëve që do ta drejtojnë Kombëtaren e Kosovës në ndeshjet e mbetura të ciklit kualifikues për Euro 2024”.

“KE i FFK-së ka vendosur që t’ia besojë drejtimin e Dardanëve ekipit të brendshëm të trajnerëve që tashmë janë të angazhuar në ekipet kombëtare”.

“Ata njëherësh do të qëndrojnë në ekipet e grupmoshave që i drejtojnë, por do të jenë të angazhuar për të ndihmuar përzgjedhësin Gliha në Kombëtaren A”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Trajneri slloven prej vitesh punon në FFK, ku ka pasur disa pozita menaxheriale.

55-vjeçari ka drejtuar Përfaqësuesen e Kosovës menjëherë pas shkarkimit të ish-trajnerit Bernard Challandes në nëntor të vitit 2021.

Gliha e drejtoi Kosovën në ndeshjen miqësore ndaj Jordanisë në Prishtinë ku në atë sfidë Dardanët pësuan humbje me rezultat 0-2. Ndërkohë vetëm katër ditë pas humbjes nga Jordania, Kosova nën udhëheqjen e trajnerit slloven kishte arritur një barazim të madh në Athinë përballë Greqisë me rezultat 1-1. /Telegraf


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë