Një ish kryeministër populist dhe partia e tij e majtë fituan zgjedhjet parlamentare në Sllovaki, duke shënuar një rikthim politik pas fushatës së mbështetur në mesazhet pro ruse dhe anti amerikane.
Me 99.2 për qind të votave të numëruara Zyra e Statistikave sllovake, ish kryeministri Robert Fico dhe partia e majtë Smer, kryesojnë me 23.3 për qind të votave.
Zgjedhjet e së shtunës ishin një provë për mbështetjen e vendit të vogël të Evropës Lindore për Ukrainën fqinje në luftën e saj me Rusinë, dhe fitorja e Ficos mund të dëmtojë unitetin e brishtë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Robert Fico, 59 vjeç, u zotua t’i jap fund mbështetjes ushtarake të Sllovakisë për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë, nëse fiton zgjedhjet.
Vendi prej 5.5 milionë banorësh që u pavarësua në vitin 1993 pas shpërbërjes së Çekosllovakisë ka qenë një mbështetës i vendosur i Ukrainës që nga agresioni rus, duke dhuruar armë dhe duke hapur kufijtë për refugjatët ukrainas.
Meqë asnjë parti nuk ka fituar shumicën e vendeve, do të duhet një qeveri koalicioni. Presidenti tradicionalisht i kërkon fituesit të zgjedhjeve që të përpiqet të formojë një qeveri, kështu që Robert Fico ka gjasa të bëhet sërish kryeministër. Ai shërbeu në këtë post në vitet 2006-2010 dhe përsëri në periudhën 2012-2018.
Një forcë e re liberale, pro perëndimore, partia Sllovakia Progresive, doli e dyta me 17 për qind të votave.
Partia e majtë Hlas, e udhëhequr nga ish zëvendësi i Ficos në partinë Smer, Peter Pellegrini, doli e treta 15 për qind të votave. Zoti Pellegrini u nda me Robert Ficon pasi partia Smer humbi zgjedhjet e mëparshme në vitin 2020, por ribashkimi i tyre i mundshëm do të rriste shanset e zotit Fico për të formuar një qeveri.
Një tjetër partner i mundshëm i koalicionit, Partia Kombëtare Sllovake ultranacionaliste, një grup qartazi pro rus, mori 5.7 për qind të votave.
Këto tri parti do të kishin një shumicë parlamentare nëse do të bashkonin forcat në një qeveri koalicioni.
Robert Fico kundërshton sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, vë në dyshim nëse Ukraina mund të largojë trupat pushtuese ruse dhe dëshiron të bllokojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Ai propozon që në vend që të dërgojnë armë në Kiev, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të përdorin ndikimin e tyre për të detyruar Rusinë dhe Ukrainën të arrijnë një marrëveshje kompromisi të paqes.

Fico si Viktor Orban, minon unitetin e BE-së
Qëndrimi i Ficos për këto çështje është i afërt me qëndrimin e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, dhe, sipas Dominika Hajdu nga instituti Globsec, me seli në Bratisllavë, “kjo ka potencial të shkatërrojë edhe më shumë unitetin e BE-së dhe NATO-s kur bëhet fjalë për mbështetjen për Ukrainën, sepse përveç Hungarisë, do të kishte edhe një shtet tjetër në Evropën Qendrore që do të vinte në dyshim dhe ndoshta edhe do të kundërshtonte disa vendime sa i përket mbështetjes së Ukrainës”.
Për të kuptuar më mirë zhvillimet e fundit politike në Sllovaki, duhet të kthehemi në vitin 2018. Që atëherë, ky shtet ka pasur pesë kryeministra të ndryshëm. Po atë vit, Sllovakia u përball me protestat më të mëdha që nga Revolucioni i Kadifenjtë i vitit 1989. Protestat më 2018 u nxitën pas vrasjes së gazetarit hulumtues, Jan Kuciak, dhe të fejuarës së tij, Martina Kusnirova. Fico dha dorëheqje dhe aleati i tij politik, Peter Pellegrini, mori postin e kryeministrit. Por, më pas ai doli nga partia Smer, dhe formoi partinë e tij të qendrës së djathtë, të quajtur Hlas (shqip: Zëri).
E fuqizuar nga pakënaqësia e përgjithshme e popullatës, lëvizja e qendrës së djathtë kundër establishmentit, Lëvizja e Njerëzve të Thjeshtë dhe Personaliteteve të Pavarura (OLaNO) doli e para në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020, duke fituar 25 për qind të votave.
Kjo lëvizje garoi me një platformë kundër korrupsionit dhe më pas formoi një Qeveri në të cilën morën pjesë parti të ndryshme, përfshirë liberalët, nacionalistët dhe kristiandemokratët.
Qeveria e re, e udhëhequr nga Igor Matoviq, u përball me kritika lidhur me mënyrën e menaxhimit të pandemisë së koronavirusit, dhe më pas edhe për rritjen e çmimeve të energjisë dhe inflacionit dyshifror pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022.
Koalicioni qeverisës, po ashtu, u përball me luftë të vazhdueshme të brendshme, që çoi në largimin e Matoviqit, dhe në vend të tij më 2021 erdhi Eduard Heger. Më pas, Partia liberale Liria dhe Solidariteti (SASKA) u largua nga koalicioni qeverisës, duke çuar në rrëzimin e Qeverisë së Hegerit, që nuk i mbijetoi votës së mosbesimit. Rrëzimi i Qeverisë u hapi rrugën zgjedhjeve të reja dhe aktualisht Qeveria në detyrë po udhëhiqet nga Ludovit Odor. Rënia e OLaNO-s ka qenë aq spektakolare, sa që duket se partia rrezikon hyrjen në Parlament.

Sentimenti pro-rus i sllovakëve
Qëndrimi i kalibruar pro-rus i Ficos është i kuptueshëm, kur shikohet sentimenti në shoqërinë sllovake, që është dukshëm i ndryshëm në krahasim me fqinjët, Poloninë dhe Republikën Çeke. Një studim i kryer nga Globsec në fillim të këtij viti vuri në pah se 69 për qind e të anketuarve sllovakë u pajtuan se duke i ofruar pajisje ushtarake Ukrainës, Sllovakia po provokon Rusinë dhe po i afrohet luftës. Vetëm 58 për qind u deklaruan se do të votonin që shteti të qëndronte në NATO.
Nikoleta Nemeckayova, analiste politike në institutin AMO, me seli në Pragë, e cila ka hulumtuar qëndrimin e partive politike sllovake ndaj Rusisë, tha se “Kremlini nuk duhet të bëjë asnjë përpjekje për të ndikuar në opinionin publik dhe gjithashtu në rezultatet zgjedhore. Kështu që ajo që po shohim nuk janë fushata të ndikimit që vijnë nga Rusia, por janë partitë sllovake që po tentojnë të shfrytëzojnë sentimentin aktual në Sllovaki, ku përfshihet edhe sentimenti pozitiv ndaj Rusisë, në mënyrë që të fitojnë zgjedhjet”.
Nemeckayova shpjegoi se sentimenti pozitiv ndaj Rusisë që gjendet në segmentet e shoqërisë sllovake vjen nga një sërë burimesh: nostalgjia për të kaluarën komuniste të shtetit; zhgënjimi me jetën në Bashkimin Evropian; por edhe arsye historike, sikurse përpjekjet për të krijuar një identitet të ndarë kombëtar sllovak në perandorinë multikulturore të Habsburgut në shekullin e 19-të, që ishte e lidhur “me Rusinë përmes pan-sllavizmit”. Rusia, tha ajo, atëherë shihej si “një vëlla i madh në lindje që mund të çlironte shtetin nga nënshtrimi ndaj Austro-Hungarisë.
Po ashtu, mund të ndodhë që Fico të vendosë, që të zbusë retorikën e tij antiperëndimore. Kur më herët ka shërbyer si kryeministër, ai kishte bërë pikërisht këtë. Për shembull, ai i miratoi sanksionet kundër Rusisë për shkak të aneksimit të paligjshëm të Krimesë më 2014, dhe kritikoi politikën e jashtme të Kremlinit para elektoratit brenda vendit të tij.
Një aleancë e mundshme me partinë e moderuar “Zëri”, po ashtu, do të mund ta zbuste politikën e jashtme të Ficos, ndërsa ka pasur biseda dhe mendime në mesin e diplomatëve sllovakë se Mirosllav Lajçak – aktualisht i dërguari i BE-së për Ballkanin Perëndimor – mund të emërohet ministër i Jashtëm.
Megjithatë, duket se rikthimi i Smerit në pushtet do ta afronte vendin më pranë Hungarisë së Orbanit, edhe për çështjet sikurse të drejtat e komunitetit LGBT apo edhe për migrimin, edhe pse Fico asnjëherë s’ka qenë aq ambicioz sa Orbani, dhe të thotë se dëshiron të krijojë një “demokraci joliberale”.
Një shqetësim tjetër është se nëse Smer është në pushtet, kjo parti do të mund të tentojë që të dobësojë sistemin gjyqësor të shtetit, dhe deri në një masë të parandalojë shkuarjen e Ficos në burg.
Më 2022, një prokuror special sllovak hetoi pretendimet se Fico kishte përdorur të dhënat konfidenciale tatimore dhe policore kundër kundërshtarëve politikë. Po atë vit, Parlamenti sllovak nuk arriti t’ia hiqte imunitetin Ficos nga ndjekja penale, që sipas ligjit, çdo deputet e gëzon.
Ish-kryeministri sllovak, po ashtu, ka kërcënuar se do të shkarkojë hetuesit e Agjencisë Kombëtare kundër Kriminalitetit, nëse i jepet mundësia. /VOA /REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.