Gazeta Si - Në pritje të shpalljes publikisht të emrit të kreut të ri të Policisë së Shtetit, 4 nga 15 kandidatët zyrtarë janë skualifikuar nga gara.
Gjatë raportimit të tij në Komisionin e Sigurisë në Kuvend, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se 4 kandidatë janë skualifikuar, pa cituar emrat e tyre, pasi nuk plotësonin kriteret e vendosura për pastërtinë e figurës.
Deputeti demokrat Ervin Salianji, replikoi me Hoxhën, duke i kujtuar se njëri prej kandidatëve të skualifikuar për postin e drejtuesit të policisë, Hajrulla Xhivini, kishte garuar, edhe pse është një person i shpallur në kërkim nga policia.
Xhivini u skualifikua pas publikimit të pamjeve në rrjete sociale që dëshmonin sjelljen e pahijshme ndaj institucioneve të drejtësisë në vend. Sipas ligjit, drejtori i ri duhet të jetë aktualisht funksionar i Policisë së Shtetit në detyrë dhe të ketë gradë të rolit të mesëm drejtues.
Në fjalën e tij, Hoxha theksoi se brenda kësaj jave do t’i propozojë Këshillit të Ministrave kandidatin i cili është i aftë për të fituar këtë garë.
Sipas burimeve, të skualifikuarit janë: Sami Rasha, Shemsi Premçi, Ibrahim Disha, Hajrulla Xhivini. Ndërkaq vijon verifikimi për Adriatik Tafçiun, Altin Menën, Ardian Çipën e Lutfi Minxhozin, Gentjan Shehajn, Idajet Faskajn, Ilir Prodën, Skënder Hita, Neritan Nallbatin, Pëllumb Seferin dhe Rebani Jaupin.
“Unë ju bëra me dije procedurën, në dijeninë time janë skualifikuar 4 kandidatë. Procedura do të vazhdojë në ditët në vijim. I është dërguar agjencive të zbatimit të ligjit shkresë për konfirmimin e pastërtisë së figurës, - u shpreh ministri Hoxha. - Priten përgjigjet dhe në bazë të përgjigjeve komisioni do vlerësojë kandidatin dhe më vonë do vijojë intervistimin. Brenda kësaj javë ministri i Brendshëm do t’i propozojë Këshillit të Ministrave kandidatin i cili do të jetë i aftë për ta fituar këtë gara”.
Ministri Hoxha, zbuloi se gara po monitorohet edhe nga partnerët ndërkombëtare. “Në tagrin tim nuk do të merrem me emra konkretë. Aplikantët janë të lejuar sipas procedurës së shpallur online. Kjo e drejtë i lind secilit. Në këtë proces partnerët po asistojnë, qoftë misioni europian për bashkëpunim dhe kontribut dhe asistencë, qoftë dhe misioni ICITAP, janë në proces të plotë të monitorimit të përzgjedhjes së drejtorit të Policisë”, - shtoi ai.
Në lidhje me këtë temë, deputeti demokrat Ervin Salianji ka replikuar me ministrin Hoxha, duke i thënë se një nga kandidatët e skualifikuar për kryepolicin e vendit, ka qenë i shpallur në kërkim.
Me humor Salianji i rekomandoi ministrit që ta ftonin atë për ta intervistuar, në mënyrë që të mund ta arressionin.
“Sa prej punonjësve kanë zbatuar urdhrin që policët të tregonin a kishin përdorur aplikacionit SKY? Thatë që do të ketë një gjeneratë të re drejtuesish. Pra, i bie që ju i paskeni caktuar. Sa herë vjen një ministër, sjell një ligj të ri. Pra, ligji gjoja me aplikim, të sjell nga karagjozë Tik Tok-u… Nuk gjeni dot ju me 12 mijë punonjës atë që është në kërkim, vjen ju gjen ai dhe ju thotë do bëhem drejtori juaj.... Jeni bërë gaz i botës. Thirreni të japë intervistë të arrestoni se jeni bërë gaz i botës. Ku e dini që do të ketë një gjeneratë të re kur aplikimet ende nuk janë verifikuar. Me komisionin që keni ju, e dimë që i keni të caktuar. iu drejtua Salianji ministrin Ervin Hoxha për njërin prej kandidatëve të skualifikuar tashmë nga gara.
Lista me emrat e 15 kandidatëve sipas rendit alfabetik
Adriatik Tafçiu
Altin Mena
Ardian Çipa
Gentjan Shehaj
Hajrulla Xhivini
Ibrahim Disha
Idajet Faskaj
Ilir Proda
Lutfi Minxhozi
Neritan Nallbati
Pëllumb Seferi
Rebani Jaupi
Sami Rasha
Shemsi Prençi
Skënder Hita
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.