Futboll

Skualifikim i perjetshëm për presidentin që goditi me grusht arbitrin në Turqi

Gazeta Si – Merren masa pas incidentit të dhunshëm në stadiumin e Ankaragyçy disa ditë më parë. Skuadra do të luajë 5 ndeshje me dyer të mbyllura dhe klubi duhet të paguajë një gjobë prej 60 mijë eurosh. Kampionati rinis më 19 dhjetor.

Komisioni disiplinor i Federatës Turke të Futbollit e ka skualifikuar përjetësisht Faruk Koca, presidentin e Ankaragyçy, pas grushteve ndaj arbitrit Halil Umut Meler në fund të ndeshjes me Rizesporin. Gjobë për klubin dhe 5 ndeshje pa tifozë për ekipin. Këto janë masat e marra pas ngjarjes që bëri bujë, me protagonist negativ numrin 1 të klubit të kryeqytetit turk.

Sapo përfundoi ndeshja me Rizesporin, që barazoi në shtesë, presidenti Koca zbriti nga tribuna dhe u fut në fushë, ku goditi me grusht në fytyrë arbitrin Meler. Kur ky i fundit ra në fushë, dy persona të tjerë e goditën atë me shkelma në fytyrë dhe trup.

Lojtarët dhe disa drejtues të Ankaragyçy e rrethuan arbitrin për ta mbrojtur nga tërbimi i agresorëve, që më pas u ndaluan nga policia. Pas ngjarjes kampionati turk u pezullua, ndërsa tani u vendos që të rifillojë më 19 dhjetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë