Financa Personale

Skllevër për një shtëpi – A na mjaftojnë 17 vjet për ta blerë

Sabina Veizaj -Një familjeje shqiptare do t’i duhen të paktën 17.65 vjet që të ketë një shtëpi të sajën. Numbeo, një kompani kërkimesh online, arriti në këtë konkluzion pasi llogariti çmimet e apartamenteve në Shqipëri dhe të ardhurat mesatare për frymë të një familjeje. Të dhënat e rifreskuara i përkasin gjashtëmujorit të parë të vitit 2018.

Tirana në Numbeo renditet kryeqyteti i shtatë në Europë për kohëzgjatjen e zotërimit të një shtëpie në raport me të ardhurat. Sipas të dhënave të Numbeo, është më e lehtë të blesh një shtëpi në Munih, Lisbonë, Kiev, se sa në Tiranë.

Këtë fakt ndoshta jo me kaq saktësi çdo familje që ka nevojë për një banesë mund ta dijë, por çështja që kërkon diskutim është a mundet që koha të jetë më e shkurtër në të ardhmen?

Dy janë treguesit bazë që mund të na ndihmojnë në përgjigje: ecuria e çmimit të banesave dhe të ardhurat e një familjeve.

Por nëse i shikojmë të dy këta tregues pak shpresa ka që 17.65 vjet të shkurtohen, madje mund të ndodhë e kundërta nëse ecim me situatën reale që na prezantojnë këta dy tregues.

Sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi i çmimeve të banesave tregon një trend luhatës. Por në  fund të vitit 2017 indeksi i çmimit të banesave kapi kulimin duke na demonstruar se është më shtrenjtë të blesh një shtëpi se sa më parë.

E vetmja shpresë mbetet që të paktën të ardhurat e familjeve të jenë rritur! Por sipas të dhënave të Eurostat, të ardhurat për frymë të shqiptarëve shfaqin trend rënës që prej vitit 2014 e në vazhdim. Po ashtu edhe konsumi i shqiptarëve ka shënuar rënie dy vitet e fundit.

Sipas FMN-së, për 2017-ën Shqipëria renditet e 105-a në botë nga 189 shtete në lidhje me të ardhurat për frymë.

Çfarë po i rrit çmimet?

Rritjen e çmimeve në tregun e banesave e konfirmojnë edhe agjencitë e pasurive të paluajtshme. Dritan Leka, Ceo në Century21 Albania thotë për Gazetën Si se “pas një periudhe të gjatë qëndrimi pezull si pasojë e bllokimit të lejeve të ndërtimit nga Këshilli i  Rregullimit të Territorit, në Tiranë si pasojë e rënies së stokut dhe mungesës së ndërtimeve të reja, çmimet pësuan rritje të lartë nga viti 2010 e në vazhdim. Rritje, e cila pati maksimumin e saj në vitin 2017”.

Por shkak tjetër përveç veprimit  bllokues të bashkisë së kryeqytetit, ekonomia e të cilit jep mbi 30 për qind të kontributit në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar dhe ku ndodhet gjysma e popullatës, është vendosja e taksës se infrastrukturës dhe disa ndryshime të tjera në sistemin e taksave dhe llogaritjen e  shitjeve etj. Vetëm për këto arsye ndërtuesit janë shprehur me kohë se vetëm nga  dyfishimi I taksës së infrastrukturës deri në 8 për qind por edhe llogaritja e çmimit të shitjes ka rritur detyrimet e tyre  për llogari të tatimeve me 3.6 herë,  barrë e cila është transferuar në çmimin final që do të blejnë qytetarët.

Ndërkohë rritja e paprecedentë e çmimeve në 2017 nga mjaft aktorë të tregut u shpjegua nga kërkesa e lartë e ekonomisë së zezë, që gjeneroi miliona euro nga trafikimi i lëndëve narkotike. Një investigim i publikuar në muajin shkurt 2017 nga revista Monitor, zbuloi se në qendër të Tiranës edhe me çmime marramendëse të rritura, shitja e apartamenteve arriti bumin dhe pjesa më e madhe e blerjeve sipas menaxherëve të shitjes bëhej në cash. Aq e fortë ishte kjo kërkesë  sa tronditi pa asnjë motiv logjik edhe kursin e këmbimit të euros me lekun.

Aktorët e tregut, por edhe ekspertë dhe eksponentë politikë të opozitës pohuan në atë kohë se bumi në tregun e ndërtimit vinte nga pastrimi i parave të drogës.

Kush e pëson?

Gjithsesi, ata që blenë në mënyrë të menjëhershme apartamentet në qendër të Tiranës në periudhën e lulëzimit të hashashit, nuk ishin ajo kategori që kërkonin një shtëpi për të futur kokën.

 “Konsumatorët masivë janë me buxhete mjaft të ulta dhe në 80% të rasteve kanë nevojë për financim bankar.”-shprehet Leka.

Ai thotë se vlera mesatare e apartamenteve që Century 21 Albania shet është 80.000 euro dhe kjo përbëhet në 70% nga apartamente 2+1 me sipërfaqe mesatare 100m2.

Kategoritë e blerësve janë: Familje të reja, investitorë me qëllim qiradhënie dhe  emigrantë. “Blerësit e pronave të shtrenjta janë investitorët, të cilët gjejnë në pasuritë e patundshme formën më të sigurt dhe me kthimin më të lartë të investimit”-shpjegon Leka.

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se 70% e familjeve shqiptare jetojnë në kushtet e mbijetesës, me të ardhura që nuk mjaftojnë as për nevojat bazë. Banka Botërore thotë se, aktualisht 32.1 për qind e familjeve shqiptare i kanë të ardhurat më pak se 34 mijë lekë në muaj ose 9 mijë lekë në muaj për person.

Fotografia e  çastit tashmë ashtu siç e konfirmon edhe Instituti Shqiptar i Statistikave e na e tregon se të paktën që prej 2016 çmimet e apartamenteve janë rritur 20 për qind ndërsa rritja mesatare e pagave ishte negative në 2016, dhe vetëm 3 për qind në 2017 ose më pak se rritja ekonomike dhe inflacioni së bashku.

Ngado që ta shikosh është tashmë e dukshme se as rritja ekonomike dhe as politikat qeverisëse nuk po i ndihmojnë shqiptarët të pasurohen më shpejt, përkundrazi i kanë  kapur në kurthin e varfërisë nga njëra anë dhe nga dora e krimit nga ana tjetër që vështirë se dalin edhe përtej 17 viteve.

Një shqiptar ligjërisht hyn në punë 15 vjeç dhe del nga tregu 64 vjeç. Gjatë këtyre 49 viteve rreth gjysmën e kohës duhet të punojë për të blerë një shtëpi, ndoshta dhe më shumë në të ardhmen. Por sa? Sepse më tej se 74 vjeç, aq sa është edhe jetëgjatësia mesatare, nuk shkojmë dot...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë