Nga Gazeta Si – Skënderbeu paraqitet me një fytyrë serioze, të mprehtë, sy seriozë dhe vështrim ngulitës… I zbritur nga kali ai duket mjaft njerëzor, por nga ana tjetër mendimtar e strateg.
Ky është Skënderbeu i skulptorit Gëzim Muriqi, i cili së fundmi ka realizuar shtatoren e Skënderbeut, që do të vendoset së shpejti në një nga sheshet e Zvicrës.
Skulptori thotë për Gazetën “Si” se kjo vepër ka qenë kërkesa e bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë prej vitesh në Zvicër.
“Vepra vjen si një kërkesë nga disa bashkatdhetarë tanë që jetojnë në Zvicër. Është vepra ime e dytë, pasi një bust tjetër këtë vit do e promovojmë edhe në qytetin e Zarës së Kroacisë, po ashtu kërkesë nga komuniteti jonë atje”, shprehet Gëzim Muriqi për Gazetën “Si”.
Shtatorja është e përmasave epike, pasi e tillë është vepra dhe kontributi i Skënderbeut në histori. Personazhi i Skënderbeut i rilindur nga Gëzim Muriqi duket sikur frymon e është gati për betejë.
“Kjo shtatore dallon prej të tjerave nga karakteristikat fizike, ashpërsia e komunikimit, shprehja e tipareve të fytyrës, drejtqëndrimi, armatura, veshja dhe gjithçka tjetër”, theksoi skulptori.
Skulptori shton se ende është duke u biseduar lokacioni, ku do të vendoset saktësisht, por beson se brenda këtij viti do të promovohet.
Figura e Skënderbeut e derdhur në bronz duket se mbart hijen mesjetare me veshjen e rëndë kalorësiake të detajuar nga skulptori, i cili bën edhe një hulumtim të kostumografisë.
“Kam dashur të sfidoj ato imazhet e përhershme të Skënderbeut, natyrisht duke ruajtur karakteristikat bazë”, vijon më tej skulptori, ndërsa shton se “është pranuar jashtëzakonisht mirë. Janë tejkaluar parashikimet e mia”.
Sipas skulptorit figura e Skënderbeut gjithmonë ka interes, pasi personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë.
“Patjetër figura e tij është e veçantë. Për ne është Heroi Kombëtar me të cilin personifikohemi besoj të gjithë, edhe jashtë kufijve administrativë të shteteve tona. Po ashtu mund të themi edhe hero i civilizimit perëndimor. Prandaj jo rastësisht i kemi shtatoret, bustet e tij gjithandej Europës e deri në Amerikë”, thotë ndër të tjera skulptori për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “pas publikimit të fotove më kanë kontaktuar edhe me kërkesa për vende të tjera”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.