Gazeta Si – Tirana ka mundur 3-1 me përmbysje Skënderbeun në stadiumin ‘Selman Stërmasi’. Ndeshja e vlefshme për javën e 3-të të Superiores solli humbjen e parë të korçarëve dhe ngjitjen e kryeqytetasve në krye të klasifikimit.
Ndeshja nisi menjëherë me malore për Tiranën që pësoi gol që në minutën e 2-të. Ardit Nikaj, sulmuesi i Shpresave, i dha avantazhin Skënderbeut me një gjuajtje të saktë në hyrje të zonës.

Skuadra e Orges Shehit u vu në kërkim të golit të barazimit, që e gjeti në fundin e pjesës së parë me brazilianin Kaina Nunes. Sulmuesi shtatlartë fitoi duelin ajror me mbrojtësit korçarë dhe gjuajti saktë me kokë.
Në pjesën e dytë Tirana ishte me fat, teksa braziliani Juri goditi traversën e portës bardheblu me një gjuajtje nga distanca. Trajneri Shehi ndërkohë ndërhyri nga stoli dhe ishte pikërisht një nga të aktivizuarit si zëvendësues, Qefalia, që realizoi golin e avantazhit. Hasani në shtesë shënoi edhe golin e 3-të për Tiranën.
Me këtë fitore Tirana kryeson renditjen e Superiores me 7 pikë, e ndjekur nga Skënderbeu me 6 pikë. Për korçarët ishte humbja e parë në kampionat, ndërsa kryeqytetasit nuk e njohin ende rezultatin negativ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




