Futboll

Skënderbeu thyhet sërish, Kamza del nga zona e ftohtë

Vjen humbja e tretë radhazi dhe tashmë mund të thuhet me gojën plot se Skënderbeu është në krizë. Si rrallë herë në 8 vitet e fundit, Skënderbeu është mposhtur për të tretën herë radhazi në kampionat dhe disfata dhemb më shumë kur vjen nga një ekip si Kamza. 1-0 është mbyllur sfida e luajtur në stadiumin e Kamzës, duke thelluar krizën te korçarët dhe i nxjerr vendasit nga zona e ftohtë e tabelës.

Ndeshja filloi vrullshëm që në minutat e para dhe të dyja ekipet kërkuan që të gjejnë rrugën e rrjetës sa më shpejt. Si Kamza ashtu edhe Skënderbeu shkojnë disa herë pranë golit, por pa mundur dot që të jenë konkret. Kur u mendua se pjesa e parë po shkonte drejt një barazimi, ka ardhur goli i skuadrës së Ernest Gjokës. Ishte japonezi, Masato Fukui që i gjendur vetëm përballë portierit korçar nuk gaboi dhe e çoi topin në rrjetë, duke kaluar në avantazh vendasit.

Në 45’ minutat e dyta Orges Shehi ndërhyri, duke bërë disa zëvendësime për energji të tjera në fushë. Por me gjithë zëvendësimet edhe në pjesën e dytë, korçarët nuk mundën të jenë konkret para portës së kamzalinjëve. Kamza nga ana tjetër ia doli me sukses që mbrohet mirë dhe e mbajti deri në fund këtë fitore me shumë vlerë përballë Skënderbeut. Sakaq në minutat e fundit nuk janë shmangur edhe disa çaste tensioni mes lojtarëve, por që është mbajtur nën kontroll nga arbitri. Me këtë triumf skuadra e drejtuar nga Ernest Gjokës, shkon në kuotën e 15 pikë. Ndërkohë Skënderbeu bllokohet prej tre javësh në kuotën e 30 pikëve dhe Partizani ka shansin që të shtojë diferencën e pikëve në 9 pikë.

Formacionet e të dyja ekipeve:
Kamza: Avdyli, Idrizaj, Arrabal, Teqja, Bonani, Rezi, Malaj, Peçi, Fukui, Plaku, Martinena. Trajner: Ernest Gjoka
Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Radas, Kaba Sambou, Aliti, Abazi, Dita, Guexh, Gripshi, Fili, Guindo. Trajner: Orges Shehi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë