Lojëra me Dore

Skënderbeu shpallet kampion i Shqipërisë pas 36 vitesh në volejboll për femra

Gazeta Si - Skënderbeu në volejboll për femra ka ngritur sot lart trofeun e kampionit të Shqipërisë. Një trofe që vjen pas plot 36 vitesh, çka e bën edhe më të bukur festën në Korçë për këtë sukses plotësisht të merituar, i 6-ti në historinë e klubit.

Vajzat e ekipit korçar, të drejtuara nga trajneri Pandush Kapedani, kanë arritur sot në mbrëmje fitoren e tretë në serinë e finaleve me Tiranën, duke u shpallur kështu kampione të vendit. Më parë ato kishin fituar dy ndeshjet në Korçë dhe ishin mundur në një ndeshje në Tiranë. Sot kanë triumfuar pikërisht në fushën e ekipit rival, duke shmangur finalen e 5-të.

Korçaret festojne fitoren ndaj Tiranes. Gazeta Si, 7 maj 2022

Skënderbeu ia doli të fitonte një ndeshje shumë të fortë në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, me rezultatin 1-3. Korçaret fituan setin e parë 19-25, ndërsa tre të tjerët ishin më të luftuar, konkretisht 23-25 i dyti, 26-24 i treti dhe 23-25 i katërti.

Për Skënderbeun ishte kurorëzimi i një sezoni shumë të mirë, ku arriti të bënte diferencën. Korçaret kanë një ekip të kompletuar, falë investimeve serioze që kanë bërë, duke afruar edhe disa volejbolliste të huaja. Volejbolli korçar kthehet në majë pas një kohe të gjatë dhe të gjithë shpresojnë të jetë fillimi i një cikli të ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë