Futboll

Skënderbeu dhe Dinamo kthehen zyrtarisht në Superiore dy javë fundit të kampionatit

Gazeta Si – Skënderbeu dhe Dinamo janë zyrtarisht pjesë e elitës së futbollit shqiptar. Pas vizitës për një sezon në Kategorinë e Parë, këto skuadra u rikthyen sot matematikisht në Superiore, ndërsa Flamurtari shpreson ta bëjë këtë gjë me anë të play-off-it.

Dy javë para përfundimit të kampionatit, Skënderbeu mban vendin e parë me 48 pikë dhe nuk mund të arrihet nga vendi i tretë në renditje. Dinamo ka 4 pikë më pak, 44, dhe është 4 pikë para Flamurtarit ndjekës, por duke qenë se kalendari i javës së ardhshme i dhuron fitoren në tavolinë me Tërbunin e përjashtuar, atëherë edhe blutë ngjiten automatikisht.

Tani mbetet të përcaktohet vetëm titulli kampion i Kategorisë së Parë, që do të ndahet mes korçarëve dhe kryeqytetasve.

Flamurtari ka edhe një shans për t’u ngjitur me anë të formulës së play-off-it, por ‘malorja’ është mjaft e fortë, sepse duhet të fitojë dy sfida me skuadra të së Parës dhe pastaj finalen në fushën e skuadrës së vendit të 8-të të Superiores.

Gara është e ndezur edhe në fundin e Kategorisë së Parë, ku veç Tërbunit të përjashtuar ka rënë matematikisht edhe Besëlidhja. Dy skuadrat e tjera që bien direkt në Kategorinë e Dytë do të përcaktohen nga dy javët e fundit të kampionatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë