Shendet

Skenari i OBSH-së: Në fillim rritje të rasteve të reja, pastaj vjen vala e dytë e epidemisë!

Vendet ku rastet e koronavirusit janë në rënie ende mund të përballen me një "kulm të dytë të menjëhershëm të epidemisë" nëse heqin dorë shumë shpejt nga masat izoluese.  Ky ka qënë paralajmërimi që ka ardhur sot nga Organizata Botërore e Shëndetit, e cila theksoi se bota është ende në mes të valës së parë të shpërthimit të koronavirusit. Kreu i urgjencave të OBSH-së, Dr Mike Ryan deklaroi edhe pse rastet janë në rënie në shumë vende ato janë akoma në rritje në Amerikën Qendrore, Amerikën e Jugut dhe Afrikë.

Ryan tha se epidemia ka të ngjarë të rikthehet sërish këtë vit në vendet ku vala e parë ka kaluar. Ai paralajmëroi se numri i rasteve të reja mund të rritej më shpejt sesa në fillim të epidemisë nëse masat për të ndaluar valën e parë hiqen brenda një kohë të shkurtër.

"Kur flasim për një valë të dytë, duhet të kemi parasysh se ajo nuk njeh kufij. Ajo mund të bëhet realitet në shumë vende brenda disa muajsh, "tha Ryan.

Sipas skenarit te parashikuar nga OBSH, shumë vende do të shohin një rritje të madhe të rasteve, e cila do të pasohet nga një valë e dytë e epidemisë së koronavirusit.

"Ne nuk mund të bëjmë supozime se duke lënë pas pandeminë dhe se rastet do të vazhdojnë të bien dhe ne do të kemi disa muaj për t'u përgatitur për një valë të dytë. Ne parashikojmë të kemi një kulm të rasteve të reja dhe më pas një rikthim të epidemisë”, u shpreh zyrtari i OBSH.

Ai tha se vendet europiane duhet të vazhdojnë të mbajnë në fuqi masat e shëndetit publik dhe distancimit social për të mos parë një kulm të rasteve të reja.

Ekspertët thonë se një valë e dytë mund të shpërthejë nëse hapen kufijtë ndërkombëtarë.

Shumë vende europiane, përfshirë edhe Shqipërinë kanë hequr masat e bllokimit, duke hapur baret, restorantet, parqet dhe qendrat estetike. Por numri i rasteve të reja në vendin tonë ka parë sot një rritje të menjëhershme, me 25 të infektuar vetëm sot.

Perspektiva e një valë të dytë të epidemisë së koronavirusit në të gjithë Europën nuk është më një teori e largët, as sipas drejtorisë së agjencisë së BE-së për kontrollin e sëmundjeve, e cila ka qënë këto kohë përgjegjëse për këshillimin e qeverive.

“Pyetja më e saktë është kur do vijë dhe sa e madhe do të jetë,” tha Dr Andrea Ammon, drejtoreshë e Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Ka qenë detyra e shkencëtarëve për t’i thënë gjërat ashtu siç janë gjatë pandemisë së koronavirusit. Ndërsa politikanët janë munduar të tregohen optimistë, epidemiologët janë shfaqur si rrëfyesit e drejtpërdrejtë të krizës.

“Duke parë karakteristikat e virusit, duke parë ato që dalin tani nga vendet e ndryshme përsa i përket imunitetit të popullatës, i cili është midis 2% dhe 14%, virusi është rreth nesh, duke qarkulluar shumë më tepër se janar dhe shkurt … Mendoj se duhet të jemi realist. Se nuk është koha tani për t’u relaksuar plotësisht”, thotë Ammon.

Ajo paralajmëroi  se një valë e dytë e koronavirusit do të jetë shumë më e keqe, sepse ka të ngjarë të përkojë me fillimin e sezonit të gripit.

“Ekziston mundësia që sulmi i virusit dimrin e ardhshëm në të vërtetë do të jetë edhe më i vështirë sesa ai që po kalojmë. Ne do të kemi njëkohësisht epideminë e gripit dhe epideminë e koronavirusit. Të kesh dy shpërthime të njëkohshme të frymëmarrjes do të sillte një tendosje të paimagjinueshme në sistemin e kujdesit shëndetësor”  theksoi ajo.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë