Analize

Skenarët / Kush mund t’i japë një shtytje pas sulmeve, regjimit të Ajatollahëve?

Mossad-i izraelit po përpiqet të dobësojë ushtrinë. Inteligjenca është në kontakt me partitë kurde dhe Muxhahidët e Popullit, MEK, një pjesë e të cilëve janë të strehuar prej vitesh në Shqipëri me mbështetjen amerikane

Gazeta Si – Në telefon, një agjent izraelit i inteligjencës fillon të flasë në persisht: “Po ju telefonoj nga një vend që vetëm dy orë më parë i dërgoi Bagheri-n, Salamin, Shamkhani-n, njëri pas tjetrit, në ferr. E vetmja gjë që mund t’ju them, është se keni 12 orë për të ikur me gruan dhe fëmijët tuaj, ose përfundoni në listën tonë. Jemi më afër se venat e qafës suaj! Doni të përfundoni kështu?”

Gjenerali iranian përgjigjet: “Jo, por çfarë duhet të bëj unë?” Inteligjenca: “Bëni një video, ku thoni se nuk e mbështesni regjimin dhe se nuk do të sakrifikoheni për të”. Gjenerali iranian: “Në rregull, ku duhet ta dërgoj këtë video?”. Izraeliti: “Në Telegram”.

Nuk dihet nëse videoja është dërguar në të vërtetë, por kjo audio sensacionale u botua nga “Washington Post”, e cila e mori atë nga një burim izraelit.

Më 13 qershor, në orët pas sulmit të parë kundër Iranit, shërbimet e inteligjencës së Benjamin Netanjahut dyshohet se nisën një fushatë sekrete, duke telefonuar anëtarë të lartë të ushtrisë dhe forcave të sigurisë të Republikës Islamike.

Të tjerë thuhet se morën letra nën pragun e derës së tyre: veprime për të destabilizuar dhe krijuar konfuzion brenda diktaturës.

Nëse kjo nuk është provë e dëshirës së Izraelit, të mbështetur nga Donald Trump, për “ndryshim regjimi” – për të ndërhyrë në ndryshimin e regjimit -, sigurisht që është konfirmim se përveç bombardimeve nga ajri, Netanjahu po lëviz edhe në terren.

Pavarësisht kujtesës së tmerrshme të rënies së diktaturave në Irak dhe Libi – për të mos u harruar: Irani është një vend tjetër -, fjalët “ndryshim regjimi” shpesh shfaqen në shumë deklarata të politikanëve amerikanë dhe izraelitë.

Po aq shpesh ata e mohojnë veten, por po rritet ndjesia se fundi i Republikës Islamike është gjithashtu midis objektivave të operacionit “Rising Lion”.

Një burim në Iran, i cili, për arsye sigurie, foli me “Corriere della Sera”-n në mënyrë anonime, thotë se “audiot me siguri konfirmojnë se Mossadi është në kontakt me ushtrinë.

Me këto veprime ata po përpiqen t’i dobësojnë, t’i shkatërrojnë dhe t’u ngulitin atyre idenë se një grusht shteti është i mundur”.

Përveç Gardës Revolucionare, Irani ka një ushtri të rregullt prej 400,000 anëtarësh: “Ata janë më pak ideologjikë dhe më pak besnikë ndaj Ajatollahut sesa Pasdarani”.

Mes skenarëve të tjerë të mundshëm, flitet edhe për një “grusht shteti nga elita”. Burimi shpjegon: “Mund ta imagjinoj që, me udhëzimin e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, dikush si reformisti Hassan Rouhani mund të ndihmohet të marrë pushtetin”.

Ky është njeriu që në vitin 2015 nënshkroi Aktin JCPOA, marrëveshjen bërthamore të dëshiruar nga Barack Obama.

Inteligjenca izraelite mund të jetë në kontakt me disa përfaqësues të pakicave etnike, të cilët kanë qenë gjithmonë në ballë kundër regjimit.

Janë partitë kurde – përfshirë ato të armatosura -, ose Muxhahedinët e Popullit, një parti gjithashtu e organizuar ushtarakisht, por me pak mbështetje të brendshme, për shkak të historisë së saj kontraverse, ku një pjesë e tyre ndodhen në Manzë të Durrësit prej vitesh në mbrojtjen amerikane.

“Ose, – vazhdon burimi, – ekziston opsioni më i mirë: një kryengritje popullore e mbështetur nga një kombinim i pikave të mëparshme: përfshirja dhe dobësimi i krahut ushtarak, pjesëmarrja e pakicave, mundësia që njerëzit të rikthehen në rrugë”.

Një përzierje e këtyre elementëve do ta detyronte regjimin të bënte një hap prapa. Por, burimi thotë: “Duhet të jemi të duruar: është ende shumë herët”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë