Kombetarja

Skemën sipas lojtarëve, apo lojtarët sipas skemës? Kjo është çështja!

Skema 3-5-2, me të cilën trajneri Edi Reja ka bërë historinë e tij në Itali, ka marrë një vëmendje të veçantë në dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë. Trajneri 73-vjeçar ka theksuar në çdo dalje publike të tij se është i vendosur për të luajtur me dy sulmues edhe me Shqipërinë. Ka luajtur me 3 mbrojtës ndaj Islandës dhe ndaj Moldavisë, rrjedhimisht edhe me 5 lojtarë në mesfushë.

Shqipëria ka luajtur gjithmonë me 4 mbrojtës, me 3 mesfushorë qendre dhe pastaj me dy mesfushorë-sulmues anësorë dhe me një qendërsulmues. Të gjithë e kanë pranuar se u duhet pak kohë për t’u përshtatur me skemën e trajnerit Reja, por a pret koha për eksperimente? Për Panuçin nuk priti… Reja sigurisht që është shumë më elastik dhe më i qetë se patrioti i tij, megjithatë kjo puna e skemës ha diskutim dhe më e rëndësishme është që të mos kalojë në një kokëfortësi të trajnerit veteran. Pyetja më e thjeshtë që mund të shtrohet, është: a është më mirë të përshtatim lojtarët që kemi me skemën më efikase të lojës, apo të fiksojmë një skemë të caktuar dhe më pas të përshtatim lojtarët sipas saj.

Trajneri Reja ka zgjedhur të dytën, ndoshta duke marrë përsipër rrezikun. Që kur u zyrtarizua lajmi se ai do të merrte drejtimin e Shqipërisë, pikëpyetja e parë që u ngrit ishte roli i Elseid Hysajt dhe rreziku i aktivizimit të tij në skemën e re. Sepse Reja luan me 3 mbrojtës. Shkodrani ka si rol natyral atë të mbrojtësit të krahut të djathtë në mbrojtjen me 4, është një lojtar më i vlefshëm në mbrojtje se në sulm. U pa qartë në dy ndeshjet e fundit se Hysaj nuk ka marrëdhënie të mira më portën, teksa në tri raste shënimi që iu paraqitën, nuk arriti të shënonte. Vetë mbrojtësi është shprehur se i pëlqen pozicioni i ri dhe se do të përmirësohet me kalimin e kohës. Hysaj është i sakrifikuari i parë për skemën e trajnerit Reja, ose më saktë i sakrifikuari përgjysmë, sepse ai thjesht është spostuar disa metra më përpara në fushë. Sigurisht, Shqipëria nuk e ka luksin të lërë jashtë formacionit një lojtar titullar të Napolit si Hysaj, edhe pse rolin që ai po mbulon tani, mund të bënte më mirë, fjala bie Balliu, me aftësi më të mira sulmuese. Mund ta bënte edhe Odise Roshi, sidomos kur luhet ndaj një kundërshtari më të lehtë në letër.

Festa e kuqezinjve pas golit të Cikalleshit

Roshi është një tjetër i sakrifikuar i skemës së re të kuqezinjve. Fieraku është një nga lojtarët tipikë që në Kombëtare japin më shumë se me klubin, gati një lojtar i domosdoshëm për ekipin tonë. Roshi është një lojtar që mund ta çajë i vetëm mbrojtjen kundërshtare, krijon pështjellim tek ajo, ka shpejtësi, kroson rrezikshëm dhe gjuan drejt kuadratit. Ndoshta një nga rastet që iu paraqitën iu paraqitën Hysajt në zonë, mund të kishte kthyer në gol. Me pak fjalë, mesfushori-sulmues i duhet ekipit nga minuta e parë, pavarësisht se rreshtimi është 3-5-2, 4-4-2 apo 4-3-3. Një lojtar i ngjashëm me Roshin është pak a shumë Eros Grezda. Lojtari i Gllasgou Rejnxhërs nuk ka galopimin e fierakut, por është teknik dhe mund të depërtojë në hapësira të ngushta. Grezda u largua nga Kombëtarja me justifikimin e dëmtimit, por trajneri Reja e pranoi se ka pikëpamje të ndryshme me këtë futbollist dhe se largimi është vendim personal i tij. Kuptohet lehtë se në këtë rast ka ndikuar skema e trajnerit dhe mbetja e gjakovarit jashtë saj.

Kuqezinjtë festojnë fitoren me Moldavinë

Pakënaqësi për aktivizimin në fund të ndeshjes me Islandën dhe zëvendësimin e shpejtë në ndeshjen me Moldavinë ka shfaqur edhe sulmuesi Armando Sadiku. Atëherë, a ia vlen të sakrifikojmë kaq shumë lojtarë dhe të krijojmë çështje në ekip për hir të skemës së lojës, kur është më e thjeshtë të ndryshojmë këtë të fundit? Natyrisht që po, aq më shumë po të marrim në konsideratë elementin kohë, që në sport është shumë i rëndësishëm. Trajneri Reja patjetër e ka vënë re se diçka nuk shkon me skemën dhe me përvojën e gjatë që ka, me siguri do të reflektojë. Të paktën nuk duket një tip kapriçoz si Panuçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë