Gazeta Si – Dy raste të vjedhjes së shumave të mëdha monetare përmes mashtrimit me aktivitetin e “Call-Center”-ave janë zbuluar në Tiranë dhe në Durrës.
Një 32-vjeçar është arrestuar në kryeqytet, pasi akuzohet se i ka marrë 108 mijë euro një shtetasi italian, duke e mashtruar përmes një ‘Call Center”-i të paregjistruar në organet tatimore.
I riu, i identifikuar si Olti Ferhataj, u prezantohej shtetasve të huaj si agjent burse, duke investuar në kriptomonedha dhe platformën “Forex”.
Duke mashtruar një klient italian, ai ka përfituar një shumë prej 108 mijë euro, për një periudhe disa mujore. Ferhataj fillimisht e ka telefonuar të huajin dhe pasi i është prezantuar si agjent burse, i ka rekomanduar investimin e 108 mijë eurove në kriptomonedha me premtimin se do të merrte pas një fitim të konsiderueshëm.
Por pasi shtetasi italian ka kryer transfertën, fondi është përvetësuar nga 31-vjeçari, ndërsa viktima në këtë skemë nuk ka marrë jo vetëm fitimin e premtuar, por as paratë që kishte investuar.
Po ashtu, policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe tre shtetas të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë skemë mashtrimi.
Ndërkohë, dy persona janë arrestuar në Durrës, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin nëpërmjet mashtrimit me anë të “Call Center”-ave, duke përfituar shumë të mëdha parash.
Në pranga kanë rënë Frenk Lumi dhe Desar Bano, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, nëpërmjet platformave të ndryshme elektronike, kryenin mashtrime dhe transaksione financiare, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, nën mbulimin e aktivitetit si “Call center”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrim kompjuterik”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.