Drejtësia

Skemë mashtrimi me TVSH, Prokuroria e Tiranës çon në gjyq dosjen ndaj Rezart Taçit

Gazeta Si – Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq biznesmenin Rezart Taçin, i akuzuar për veprën penale ‘Krijimi i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në’.

Taçi, vijon të jetë në kërkim nga drejtësia shqiptare, i akuzuar edhe për një tjetër dosje nga SPAK, atë për “pastrim parash në kuadër të grupit kriminal”, ku dyshohet se pastronte paratë e organizatës mafioze italiane “Cosa Nostra”.

Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr. 206 i vitit 2018, rezultoi se shoqëria ‘Kuid’ shpk si agjente e shitjes me pakicë e shoqërisë ‘Taçi Oil International Trading and Supply Company’ sh.a., i ka faturuar komisione shërbimi më shumë në sasi se sa sasia e furnizuar në fakt për periudhën Maj-Dhjetor 2013.

Kjo shoqëri ka kredituar padrejtësisht TVSH-në me vlerë 10.399,595 lekë. Gjithashtu me transaksion fiktiv ka rënduar shpenzimet e vitit padrejtësisht për shumën 51.997.975 lekë.

Nga kontrolli tatimor i kryer rezultoi se shoqëria ‘Taçi Oil International Trading and Supply Company’ sh.a. për llojin karburant ‘Diesel’ nga muaji Maj-Tetor 2013 ka shitur një sasi prej 1.298095 litra dhe ka faturuar një sasi prej 4.591.093 litra, me një diferencë më shumë 3.292.998 litra në vlerë 36.818.845 lekësh. Ndërsa për llojin e karburantit ‘Benzinë’ ka kryer shitje në sasinë 608.093 litra duke faturuar 1.934.446 me vlerë 15.070.950 lekë”, njofton prokuroria.

Po ashtu, prej muajsh, Gjykata e Posaçme ka marrë të pandehur biznesmenin Rezart Taçi, i akuzuar për “pastrim parash në kuadër të grupit kriminal”.

Ai do të gjykohet në mungesë, pasi masa e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij nuk është ekzekutuar ende. Sipas SPAK, Taçi i ofroi ndihmë biznesmenit italian Francesko Zummo për të kryer një transaksion financiar në Shqipëri prej 18 milionë Euro, në mënyrë që t’i shpëtonte konfiskimit në Itali.

Në këtë dosje, më herët Gjykata ka dënuar dy njerëz të afërt të Taçit, Bledar Lilo dhe Artur Ballën. Disa javë më parë, SPAK mbylli hetimet ndaj tre bashkëpunëtorëve italianë të Rezart Taçit.

Sipas SPAK tre të pandehurit italianë në bashkëpunim me Rezart Taçin, kunatin e tij Artur Balla dhe ish-shoqëruesin e biznesmenit kanë organizuar një skemë komplekse financiare të paligjshme, të shtrirë në disa shtete, me qëllim pastrimin e milionave eurove.

Sipërmarrësi 90-vjeçar nga Palermo, Francesco Zummo dhe kontabilisti Fabio Petruzzella, të dy nën akuzë kanë mbërritur në Shqipëri në qershor të vitit 2021. Ata janë pritur nga bashkëpunëtorët e Rezart Taçit, Balla e Lilo.

Në ditët në vijim u hapën disa llogari bankare në Shqipëri, ndërsa në një bankë të nivelit të dytë u transferuan 18,3 milionë euro në një llogari të vetme, të konfiskuara tashmë me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Në dosjen e SPAK ka prova që tregojnë se për transferimin dhe fshehjen e shumave monetare, institucioni në fjalë përfitonte 16% të shumës monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë