Gazeta Si - Një skemë mashtrimi me kredi ndaj qytetarëve, pa dijeninë e tyre ka sjellë arrestimin e 4 personave, mes tyre dhe një notere.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, organizatori i skemës mashtruese është shpallur në kërkim. Ai është Ledio Vrapi, 34 vjeç, shtetas shqiptar banues në Gjermani.
Policia thotë se 4 punonjës të Fondit "Besa" dhe një notere, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit, kanë përvetësuar shumat e kredive të marra nga 11 persona që kanë bërë kallëzim penal duke i mashtruar dhe duke iu përvetësuar shumat monetare.
Sipas policisë, i riu dyshohet se ka mashtruar persona të ndryshëm duke iu thënë se i nevojiteshin të dhënat e tyre për të çelur llogari bankare dhe për të tërhequr shuma parash nga banka, në mënyrë që ai të mos tërhiqte vëmendjen e autoriteteve shtetërore.
Pas çeljes së llogarive dhe tërheqjes së parave, ai u ka dhënë secilit nga 500 mijë lekë të vjetra si shpërblim.
Nga hetimet, ka rezultuar se Ledio Vrapi, me anë të fotove të kartave të identitetit të këtyre shtetasve ka marrë kredi pranë disa institucioneve financiare në vlera 5 deri në 7 milionë lekë të vjetra, të cilat janë transferuar në numrat e llogarive të shtetasve dhe pas tërheqjes janë përvetësuar nga 34-vjeçari Vrapi.
Në këtë veprimtari të paligjshme është përfshirë edhe noterja M.D., e cila dyshohet se ka kryer noterizimin e kontratave me palë shtetas që nuk kanë qenë të pranishëm dhe që nuk i kanë nënshkruar këto kontrata dhe për të cilët janë paraqitur të dhëna të rreme lidhur me adresat e banimit dhe të dhënave të tjera.
Noterja e përfshirë në skemën e mashtrimit, është lënë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Në “arrest shtëpie” janë lënë edhe punonjësit e bankave, konkretisht L. N., (përgjegjëse zyre) L.P., dhe E.A., (oficerë kredie).
Autoritetet kanë mbajtur relacionet dhe vendimet e miratimit të kredive, të bazuara në të dhëna të rreme, të cilat nuk i përkasin palëve në cilësinë e debitorëve.
"Në kryerjen e këtyre veprimeve, shtetasi L.V., ka bashkëpunuar me shtetasit E. A. dhe L. P., të cilët kanë qënë punonjës të shoqërisë ‘Fondi Besa’ sh.a, që kanë qënë në cilësinë e oficerit të kredisë, në lidhje me personat e dëmtuar. Po kështu, ka bashkëpunuar edhe me shtetasen L. N., e cila ka qënë përgjegjëse e zyrës përkatëse të ‘Fondi Besa’ sh.a, që ka patur në varësi dy punonjësit e mësipërm.
Personat e dëmtuar nuk janë paraqitur ndonjëherë në zyrat e institucionit financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, nuk kanë nënshkruar ndonjë dokument për marrjen e kredive, nuk kanë nënshkruar kontratat noteriale për marrjen e kredive, nuk kanë pasur dijeni në lidhje me ekzistencën e kredive në emër të tyre. Punonjësit e institucionit financiar ‘Fondi Besa’ sh.a kanë qënë plotësisht në dijeni të faktit se personat e dëmtuar nuk janë paraqitur në zyrat e tyre, për të aplikuar për kredi dhe për të dorëzuar dokumentacionin e kredisë, por kanë plotësuar dosjen e aplikuesve me dokumente me përmbajtje të falsifikuar.
Sa më sipër, ekzistojnë prova të mjaftueshme se shtetasi L. V., në bashkëpunim me shtetaset L.N., E.A. dhe L.P., kanë krver veprën penale të "Mashtrimit", me pasoja të rënda dhe të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 143/3 dhe 25 të Kodit Penal.
Po kështu, ekzistojnë prova të mjaftueshme se shtetasja M. D., në cilësinë e Noteres, ka kryer veprën penale të ‘Falsifikimi i dokumenteve’, nga personi që e ka për detyrë, në 11 raste, të parashikuar nga nenet 186/3 i Kodit Penal", - thuhet në njoftimin e policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.