Ka ndodhur

Skemë mashtrimi me ‘call center’-at në Shkodër, viktima gjermanët dhe spanjollët. Në kërkim polaku dhe partnerja e tij (Video)

Tetë persona janë arrestuar në Shkodër dhe 3 të tjerë u shpallën në në kërkim, pasi akuzohen se kishin krijuar një skemë mashtrimi me ‘call center’.

Policia thotë se arrestimet janë kryer pas denoncimeve nga shtetas të huaj se ishin mashtruar përmes platformave të ndryshe online nga ky “call center”.

Të ndaluarit janë kryesisht vajza, si menaxhere dhe punonjëse të kësaj kompanie, që dyshohet se mashtronin qytetarët e shteteve të Bashkimit Europian, duke iu premtuar se do të investonin në “Forex”, kriptomonedha apo në bursa.

Ndërkohë, në kërkim janë shpallur tre persona, njëri prej tyre 27 vjeç me shtetësi polake, si edhe bashkëjetuesja e tij.

Në kuadër të operacionit “North Forex”, është bërë arrestimi në flagrancë i 8 personave: E.K., 22 vjeçe, O.Sh., 20 vjeçe, A.B., 30 vjeçe, S.A., 21 vjeçe, S.A., 24 vjeçe, E.O., 29 vjeç, N.T., 26 vjeç dhe Y.D., 27 vjeçe.

Po ashtu është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e Paëel Ëziontek, 27 vjeç (shtetas polak), A.S., 21 vjeçe (bashkëjetuesja e tij) dhe K.M., 38 vjeç.

Polaku ishte edhe organizatori i grupit, i cili sipas policisë kishte siguruar infrastrukturën për kryerjen e mashtrimeve me vlera të mëdha.

Sipas policisë, këta persona, prej një periudhe 1-vjeçare kishin krijuar një skemë që kryesohej nga polaku Ëziontek, i cili kishte rekrutuar si menaxherë 3 shqiptarë, që janë arrestuar.

Kjo skemë ushtrohej në vendndodhje të ndryshme dhe konsistonte në mashtrimin kompjuterik nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme si “Vicidial”, “Forex” dhe “Exchange”, në dëm të shtetasve të huaj, kryesisht atyre gjermanë dhe spanjollë.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasi 27-vjeçari nga Polonia, me qëllim shmangien e hetimit pas operacionit kombëtar kundër mashtrimeve kompjuterike, kishte bërë çregjistrimin e të gjithë punonjësve dhe kishte vijuar ta ushtronte aktivitetin në fjalë në mënyrë të fshehtë.

Hetimet kanë nisur për verifikimin e të gjitha investimeve në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që kanë bërë personat e përfshirë në ketë veprimtari, në koordinim dhe me autoritetet gjermane, spanjolle dhe polake, me qëllim konfiskimin e te gjitha aseteve të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë