Drejtësia

Skemë korrupsioni, mashtrim dhe pastrim parash me tenderët publikë. Ish-kreu i ARRSH mes 22 personave në hetim nga SPAK

Gazeta Si – SPAK ka zbardhur rastet e korrupsionit për ish-kreun e ARRSH, Evis Berberi, i cili akuzohet për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.

Sot në Gjykatën e Posaçme u caktua Bib Ndreca si relator i çështjes, ndërsa në total janë 24 të pandehur, mes tyre edhe kreu aktual i ARRSH, Gentian Gjyli dhe dy shoqëritë “Net Group” sh.p.k dhe “DAAM”sh.p.k.

SPAK ka zbardhur rastet e korrupsionit në shtatë procedura prokurimi, të zhvilluara në vitet 2020-2022, në Agjencinë për Efiçencën e Energjisë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar, gjatë kohës kur titullar i autoritetit kontraktor ka qenë Evis Berberi, në funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm për Efiçencën e Energjisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Mes tyre është edhe tenderi për mbikëqyrje e punimeve për tunelin e Llogarasë. Ndërsa në një procedure prokurimi, Evis Berberi ka qenë kryetar i komisionit të vlerësimit të ofertave.

Nga hetimi i SPAK rezulton se Evis Berberi, ndonëse kishte kaluar fiktivisht pronësinë e shoqërisë “DAAM” sh.p.k te persona të tjerë, vijonte të ishte pronari de facto i saj, duke e përdorur për të përfituar personalisht nga tenderat publikë.

SPAK thotë se, për të fshehur gjurmët, Berberi në vitin 2019 ka kaluar në mënyrë fiktive pronësinë e “DAAM” te bashkëpunëtorët Brunilda Buli, Valter Begaj dhe Ervis Lami.

Ndërkohë, vetë Berberi vijonte të kontrollonte aktivitetin, të vendoste për shpenzimet, punësimet, investimet dhe të drejtonte përdorimin e llogarive bankare të kompanisë. Ai gjithashtu merrte vendimet për pagesa, pagat dhe licencat profesionale për projektim e mbikëqyrje.

Sipas Prokurorisë, Berberi ka favorizuar vazhdimisht kompaninë “Net Group” sh.p.k., në pronësi të Valter Begajt, duke i krijuar asaj avantazhe të padrejta në shtatë tendera të rëndësishëm.

Vetëm në gjashtë prej tyre, ai ka marrë si përfitim të parregullt rreth 77 milionë lekë përmes skemave me fatura fiktive, për të fshehur rrjedhën e vërtetë të shumave monetare.

“Nga aktet e administruara rezulton se i pandehuri Evis Berberi, ka vepruar në procedurat e prokurimit të mësipërm, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Në në një rast tjetër, nën cilësinë e kryetarit të komisionit të vlerësimit të ofertave, ka favorizuar dhe krijuar privilegje për shoqërinë pjesëmarrëse dhe fituese në këto procedura prokurimi, shoqërinë “Net Group” sh.p.k, në pronësi të të pandehurit Valter Begaj, ku në gjashtë prej këtyre procedurave të prokurimit, i pandehuri Evis Berberi ka kërkuar dhe marrë nga të pandehurit, Valter Bergaj, Evis Lami dhe Brunilda Buli, përfitimin e parregullt në vlerën 77.380.973 (shtatëdhjetë e shtatë milionë e treqind e tetëdhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tre) lekë”, njoftoi SPAK.

Për transferimin e këtyre vlerave të korrupsionit, nga ana e të pandehurit, Evis Berberi, në bashkëpunim me të pandehurit,Valter Begaj, Ervis Lami dhe Brunilda Buli, është ngritur mekanizmi i veprimit përmes faturave fiktive, mes shoqërisë “Net Group” sh.p.k dhe “DAAM” sh.p.k, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, ë transferimit dhe zhvendosjes së tyre, që përbëjnë “përfitim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

Po ashtu, gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit të sipërcituara, janë evidentuar fakte për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në lidhje me veprimet e kundraligjshme të anëtarëve të komisionit të përllogaritjes së fondit limit, njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, në lidhje me përllogaritjen e fondit limit, hartimin e dokumenteve standarde të tenderit, si dhe për vlerësimin dhe shpalljen fitues të shoqërisë “Net Group”sh.p.k, në kundërshtim me kriteret e përcaktuara, në dokumentet standarde të tenderit, veprime të kryera në shkelje të rregullave të prokurimit publik, me qëllim krijimin e favorizimeve dhe privilegjeve në shtatë procedura prokurimi, për shoqërinë “Net Group” sh.p.k., në një rast tjetër, për shoqërinë “EuroElektra”sh.p.k.

Në këto procedura prokurimi, i pandehuri Evis Berberi ka vepruar në bashkëpunim me personat zyrtar të tjerë të autoritetit kontraktor, anëtarë të komisionit për secilën procedurë konkrete, të pandehurit; Gentjan Gjyli, Erald Elezi, Artan Leskoviku, Altin Marko, Bledar Aliaj, Blerta Musabelli, Kamelia Tafaj, Ela Goxhaj, Jetmira Dervishi, Orjon Islamaj, Adrian Kroi, Genti Raça, Adela Kica, Denis Xhoxhi, Gëzim Noni, Adja Strazimiri, Shkëlqim Lusha, Valbona Pepa.

Nga hetimi është evidentuar fakti tjetër penal i falsifikimit të dokumentacionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimit të dokumenteve standarde të tenderit, pasi rezulton se nuk është kryer dhe administruar në kohën e duhur dokumentacioni që duhej të mbahej nga anëtarët e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimit të dokumenteve standarde të tenderit, të pandehurit Bledar Aliaj, Blerta Musabelli, Kamelia Tafaj, por që provohet se procesverbalet e testimit të tregut dhe procesvebali i miratimit të dokumenteve standarde të tenderit, janë përgatitur pas përfundimit të procedurave të prokurimit, veprime të kryera në tre raste.

Nga hetimi është evidentuar fakti tjetër penal i falsifikimit të dokumentacionit të paraqitur nga shoqëria, “Net Group”sh.p.k, në tre procedura prokurimi, për të plotësuar kriteret e dokumenteve standarde të tenderit, siç janë kontrata bashkëpunimi për katër inxhinierë që duhet të kryenin shërbimin, si dhe deklarata mbi disponueshmërinë e stafit të konsulentit.

Nga hetimi, është evidentuar fakti se shoqëria, “Net Group” sh.p.k, gjatë zbatimit të kontratave të fituara në këto procedura prokurimi, ka përfituar në sajë të paraqitjes së dokumentacionit fiktiv tek autoriteti kontraktor, si raporte, situacione, etj, të cilat rezultojnë se përmbajnë të dhëna të rreme në përmbajtje të tyre, përsa i përket realizimit të shërbimit, i cili nuk është realizuar, në vlerën 80,010,058 (tetëdhjetë milion e dhjetë mijë e pesëdhjetë e tetë) lekë.

Procedurat kryesore të prokurimit të hetuara:

Menaxhimi dhe koordinimi i projektit GOAL – 29,800 euro

Studim fizibiliteti për kulla karikimi për makina elektrike – 68,750,000 lekë

Projektim i detajuar për kulla karikimi – 62,083,333 milionë lekë

Standarde ndriçimi urban e rrugor – 12,500,000 lekë

Rruga “Smart City” – 82,499,604.17 lekë

Mbikëqyrje e punimeve për tunelin e Llogarasë – 196,240,667.53 lekë

Supervizim mirëmbajtje rrugore – 46,021,230.02 lekë

Supervizim shtesë i segmenteve rrugore – 55,225,031.5 lekë

Çfarë u sekuestrua?

Kuotat e shoqërisë “DAAM”sh.p.k., themeluar me datë 04.10.2017 dhe regjistruar me datë 05.10.2017, me objekt veprimtarie studim, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim objektesh ndërtimore dhe veprave inxhinierike të ndryshme etj., me ortak personin nën hetim, Valter Begaj dhe administrator personin nën hetim, Ervis Lami;

4 pasuri të paluajtshme të llojit “arë”

1 pasuri e paluajtshme

6 automjete

1 motomjet

Gjatë kontrollit të banesës së të pandehurit, Evis Berberi janë sekuestruar vlerat monetare në shumën 15,675 Euro, 3,035 Paund, 1,436,000 lekë.

Të pandehurit dhe akuzat

Evis Berberi, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.

Valter Begaj, “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Mashtrim” “Falsifikim i dokumenteve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”,

Ervis Lami, “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.

Brunilda Buli, “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”

Gentian Gjyli, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”

Erald Elezi, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”

Genti Raça, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”

Artan Leskoviku, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”

Altin Marko,“Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”

Orjon Islamaj,“Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”

Adrian Kroi,“Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”

Bledar Aliaj,“Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike” “Falsifikim i dokumenteve”,  “Shpërdorim i detyrës”

Blerta Musabelli, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”,  “Falsifikim i dokumenteve”, “Shpërdorim i detyrës”,

Kamelia Tafaj, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”,  “Falsifikim i dokumenteve”,  “Shpërdorim i detyrës”

Adela Kica,“Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”

Denis Xhoxhi, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”

Adja Strazimiri,“Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”

Gëzim Noni, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”

Shkëlqim Lusha,“Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”

Ela Goxhaj, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”

Jetmira Dervishi, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”

Valbona Pepa,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”

Personi juridik, “Net Group”sh.p.k, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”,“Mashtrim”  “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”

Personi juridik “DAAM”sh.p.k, “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë