Drejtësia

Skema/ Si ‘Bankers’ shmangu tatimet për 20 vite. Prokuroria e Fierit lëshon 14 masa sigurie

Nga Gazeta ‘Si’ – Një skemë mashtrimi financiar prej 20 vitesh nga kompania e naftës “Bankers Petroleum” u zbulua nga Prokuroria e Fierit, e cila bastisi një ditë më parë zyrat e kompanisë në Patos-Marinëz.

Sipas hetimeve, kompania ka shmangur tatimet, duke i shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit prej dy dekadash, që pavarësisht se shiti 532 miliardë lekë naftë brenda dhe jashtë vendit, deklaronte humbje, duke përfituar edhe nga rimbursimi i TVSH.

Në një njoftim zyrtar këtë të enjte, Prokuroria e Fierit ka dhënë detaje, ku të mërkurën e 2 korrikut u arrestua drejtori aktual i kompanisë, kinezi Hongping Shiao, si dhe ish-drejtori Leonidha Çobo.

Organi i akuzës ka lëshuar në total 14 masa sigurimi, nga ku janë ekzekutuar deri më tani 9 prej tyre. Përveç Shiao-s dhe Çobos, masat e sigurisë, me karakter shtrëngues, janë ekzekutuar edhe ndaj L.W., A.K., K.Xh., D.G., M.Th., M.I., dhe E.A., të cilët kanë pozicione drejtuese në kompani.

Ndërsa pesë personat e shpallur në kërkim janë kryesisht të huaj. “Ndërhyrja në këtë fazë të hetimit, lidhet me rrezikun e prishjes së provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes”, njoftoi prokuroria.

Hetimet dhe akuzat

Hetimet kanë nisur më 30 dhjetor të vitit të kaluar, pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor. Gjatë këtyre muajve, prokuroria thotë se në bashkëpunim të ngushtë me Tatimet kanë grumbulluar prova të mjaftueshme, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë kryer disa vepra penale që po hetohen pas dyshimeve se janë kryer nga “Bankers Petroleum”.

Bëhet fjalë për: “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”; “Fshehja e të ardhurave”; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; “Shpërdorimi i detyrës”; “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier.

Prokuroria njofton se është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje nafte brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532 miliardë lekë.

Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë.

Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme.

Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Skema

Skema e ndjekur ka qenë deklarimi i shpenzimeve shumë më të larta, duke bashkëpunuar edhe me kontraktorët e tjerë në mënyrë që kompania jo vetëm që të mos paguante tatime, por edhe të përfitonte nga rimbursimi i TVSH-së, duke i shkaktuar shtetit shqiptar miliona euro dëm ekonomik.

“Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro”- shtohet më tej.

Hetimet janë ende në vijim pasi dyshohet se janë përdorur skema të ndryshme mashtrimi për TVSH-në dhe janë përfshirë edhe shumë persona dhe individë të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë