Shuma e vënë në dispozicion nga qeveria prej 187 mln lekë për të kompensuar bizneset e vogla dhe të mesme për shpenzimet e zbatimit të protokollit anti COVID-19, ka ngjallur pakënaqësi.
Në bazë të të dhënave të qeverisë, nga ndihma do përfitojnë 6,835 ndërmarrje dhe 46, 773 punonjës.
Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin të paktën 107.269 Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme me nga 1- 250 punonjës. Por skema e dedikuar vetëm për bzineset prodhuese lë jashtë 364,954 punonjës dhe 100,434 ndërmarrje . Del nevoja me shumën në dispozicion që të vendosen disa kritereve për të aplikuar për këtë qëllim, por që nuk janë bërë ende me dije nga ana e qeverisë.
Përpos kësaj, biznesi i madh, i cili pretendon se ka kosto më të mëdha se ai i vogël dhe i mesëm, mendon se ndihma e qeverisë është e padrejtë dhe qesharake.
Skënder Pashaj nën siglën Kenofital ushtron aktivitetin në prodhimin dhe eksportin e këpucëve “Made in Albania”.
Ai ka 1200 punonjës dhe në katër muaj të pandemisë ku shumë aktivitete u mbyllën e të tjerë ngadalësuan aktivitetin, ai ka humbur 1,6 mln euro.
Pashaj ka 16 vite në treg në sektorin fason, por prej 9 vitesh shet produktet e tij drejtpërdrejt në pothuajse gjithë tregjet europiane.
Ai nuk përfiton nga vendimi i një dite më parë i qeverisë për të rimbursuar dy muaj për çdo punonjës të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme shpenzimet e zbatimit të protokollit anti-COVID-19.
Sipërmarrësi Pashaj thotë për gazetën “Si” se qeveria i ndërmerr këto incentiva qesharake për t’i shënuar në fushatën elektorale, por jo për të ndihmuar realisht biznesin. Sipas tij edhe nëse do të ishte pjesë e skemës, me ato para Pashaj thotë se nuk do të arrinte të mbulonte asnjë shpenzim.
“Disa të nënës e të tjerë të njerkës. Ne të ngrohemi në diell si lulëkuqet mbi mure. Bizneset me më shumë punëtorë ka vështirësi më të mëdha. Si i merr qeveria këto vendime?” – thotë Pashaj.
Ai thotë se sipërmarrja e tij është e shëndoshë, por situata e krizës ka sjellë problematika dhe ngecje zinxhirësh.
Pashaj tregon se pavarësisht se puna u ngadalësua ai ka vijuar të paguajë rrogat njësoj, pa ulje dhe pa vonesa, po ashtu edhe taksat e tatimet pavarësisht se qeveria vendosi ti shtynte.
“Unë kam në muaj paga 400 mijë euro. 15% të humbjes totale gjatë pandemisë e ka transporti i shtuar për shkak të zbatimit të protokollit. Pra paguaj në muaj 10 mln lekë transport. Deri tani kam blerë 30 mijë maska, shtoi detergjentët dhe dezinfektimin. Llogarit kontratat e shtyra e të pakryera, qindra palët e këpucëve stok për shkak të pandemisë. Unë do të vazhdojë tia dalë, si përherë, pavarësisht situatës dramatike, por qeveria të mos tallet”- shprehet Pashaj për gazetën “Si”.
Ai shpjegon se mbyllja e Europës është një kambanë ogurzezë për Shqipërinë dhe kriza e muajve në vazhdim do të jetë nën parashkimin e Pashajt më e fortë se ajo që u përjetua në pranverë. “Nuk ka as kontrata, asgjë. Po ecet kuturu”- thotë Pashaj.
Thënë këtë, shprehet sipërmarrësi prodhues, “qeveria duhet të mendojë seriozisht të ulet me ndërmarrjet e shëndosha që ti mbështesë ato nga ana financiare sepse situata do të jetë shumë dramatike. Shumë ndërmarrje kanë falimentuar e të tjera do ti pasojnë”.
Edhe Florjan Zekja nga Pro Export Albania, e cila është një ndërrmarje e mesme, pohon të njëjtën gjë.
Ai vetë përfiton teorikisht nga VKM-ja sepse ndërmarrja e tij ka 70 punonjës, por kjo thotë ai, do të shihet në vazhdim në bazë të kritereve të përzgjedhjes.
Por sipas tij kjo ndihmë është e pamjaftueshme. “Ne që nga maji kemi nisur të zbatojmë protokollin anti COVID-19. Për çdo punonjës harxhojmë në muaj 38 euro ose 5000 lekë mesatarisht nga llogaritë e kryera”.
Por jo domosdoshmërisht ndërmarrjet që do të aplikojnë, do të përfitojnë sepse shuma e vënë në dispozicion është krejtësisht e pamjaftueshme për të gjithë NVM-të në bazë të përllogaritjeve.
“Biznesi prodhues po falimenton. Unë kam blerë një ndërmarrje që ka falimentuar, thjesht që të ishte në treg. Kam investuar 120 mijë euro paisje për t’iu përshtatur krizës dhe nga moda kam kaluar tek veshjet njëpërdorimshme anti COVID që i eksportoj në Itali pasi moda po punon me 30% të kapacitetit e madnej me krizën e përkeqësuar mund të falimentojë farë. Kryej 10 mijë rroba njëpërdorimshe në ditë me vlerë 30 cent. Ndihma që nuk është për të tërë është qesharake. Qeveria duhet të jetë serioze”- thotë Uran Derri sipërmarrës I një tjetri biznesi të mesëm.
Sipas VKM-së, skema mbështetëse llogaritet e jepet për ndërmarrjet, të punësuarit e të cilave figurojnë në listëpagesat e përditësuara të tatimpaguesit, për muajin qershor 2020, të dorëzuara përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Ndërmarrja për çdo të punësuar në më tepër se një listëpagesë përfiton vetëm një herë ndihmën financiare. Vendimi sqaron se në rastet kur i punësuari është në më tepër se një listëpagesë dhe kontributet paguhen nga të dyja ndërmarrjet, ndihmën financiare e merr ndërmarrja, e cila aplikon e para. Ndërmarrja që nuk aplikon e para, nuk e përfiton ndihmën financiare vetëm për të punësuarin që është në më tepër se në një listëpagesë. Nuk konsiderohen të punësuar individët e deklaruar me 0 (zero) lekë në listëpagesë.
Nuk përfitojnë nga ndihma financiare ndërmarrjet, të cilat nuk rezultojnë aktive në datën e hyrjes në fuqi të vendimit e që nuk kanë dorëzuar deklaratë vjetore për vitin 2019 (tatim i fitimit ose tatim i thjeshtuar mbi fitimin).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.