Sabina Veizaj – Mesa duket skema e pensioneve ka dështuar. Qeveria po mendon për një të re.
Ministria e Finanacave ka propozuar një projektligj për “Sigurimet Shoqërore” .
Alternativa që po diskutohet për skemën e re është një sistem i alternuar pensionesh me dy komponentë; një sistem publik bazë i konsoliduar dhe një sistem privat i zhvilluar.
Tre vjet nga reforma e skemës së pensioneve, Minsitria e Fiannacve shpjegon se me ndryshimet demografike, emigracionin në masë, plakjen e popullsisë, dhe kontributet e pakta të derdhura nga të vetëpunësuarit, veçanërisht në sektorin e bujqësisë, produktiviteti i ekonomive fshatare shpesh me sipërfaqe toke të vogla dhe jo efiçiente, pamundësia për t’i detyruar të paguajnë, por lënia praktikisht mbi baza vullnetare për të kontribuar ka lindur nevojën për një skemë të re.
Për bujqit e vetëpunësuar, parashikohet ngrirja e masës së kontributit sa është aktualisht, caktimi i një page minimale për bujqit që i përgjigjet kontributit dhe ruajtja e të gjitha kritereve dhe parametrave të formulës që është në fuqi.
Në reformën e 2014-ës u përcaktua që masa e kontributit të të vetëpunësuarve në bujqësi do të rritej çdo vit derisa në vitin 2018 të barazohej me kontributin e paguar nga i vetëpunësuari në zonën urbane. Kjo për faktin se një pjesë e konsiderueshme e kontributit të bujqëve subvencionohej nga buxheti i shtetit. Ky subvencion arrinte në 60-70% të masës së kontributit duke u kthyer në barrë për buxhetin. Problemi tjetër i hasur është që skema e fshatit subvencionohet në masë shumë të madhe edhe në pagimin e pensioneve duke krijuar një subvencion të dyfishtë për fermerët edhe si kontribut edhe si përfitim, gjë që për ministrinë konsiderohet e padrejtë për qytetarët e tjerë që paguajnë vetë të gjithë kontributin.
Për shkak të shumë arsyeve, ku më kryesorja është interesi shumë i ulët i bujqëve për të paguar, në vitet e fundit nuk është bërë rritja e masës së kontributit duke“e ngrirë”atë në një nivel prej 38.400 lekë për zonat fushore dhe 29.400 lekë përzonat malore.
Një i vetëpunësuar në qytet paguan aktualisht 66.240 lekë në vit kontribut. Për të vetëpunësuarin në bujqësi diferencën e paguan buxheti i shtetit dhe për efekt pensioni këto periudha konsiderohen të barabarta për të dy kategoritë.
Ndryshime të tjera
Projekltigji “Për Sigurimet Shoqërore” parashikon gjithashtu ndryshimin e përbërjes së Këshillit Administrativ të ISSH-së dhe vartësinë e këtij institucioni me organizimin aktual të Këshillit të Ministrave, të ministrive dhe të vartësisë së institucioneve.
Deri më sot, Këshilli Administrativ i ISSH-së është i përcaktuar të jetë tre palësh, me 12 anëtarë, me përfaqësues të Këshillit të Ministrave, të punëmarrësve dhe të punëdhënësve. Këshilli i Ministrave përfaqësohet me 6 anëtarë që përcaktohen nga ministritë dhe institucionet që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me aktivitetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore si dhe nga institucione që bashkëveprojnë me të në fusha të ndryshme. Deri tani në përbërje të Këshillit Administrativ janë përfaqësues të 4 ministrive, si Ministria e Financave, Ministria e Çështjeve Sociale dhe Rinisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Ekonomisë, Instituti i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor dhe Instituti i Statistikave. Në projektligjin që paraqitet për shqyrtim parashikohet që edhe në periudhën në vazhdim, Këshilli Administrativ të ketë në përbërje 12 anëtarë, nga të cilët 6 përfaqësues të Këshillit të Ministrave dhe institucioneve qendrore shtetërore, 3 përfaqësues të punëdhënësve dhe tre përfaqësues të punëmarrësve të cilët edhe në periudhën në vazhdim do të mbeten të pandryshuar.
Sa i përket përfaqësimit të Këshillit të Ministrave dhe me qëllim që të mos jetë e nevojshme të bëhen ndryshime në dispozitat e legjislacionit të sigurimeve shoqërore, edhe nëse do të ketë ndryshime në organizimin dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave vitet e ardhëshme, në këtë projektligj përcaktohet se Këshilli Administrativ do të ketë në përbërje përfaqësuesin e ministrisë përgjegjëse për çështjet e Sigurimeve Shoqërore, katër përfaqësues të tjerë nga ministritë apo institucionet qendrore që kanë lidhje me ekonominë e shëndetësinë, si edhe përfaqësuesi i Institutit të Statistikave.
Me shpjegimin se Instituti i Sigurimeve Shoqërore ndër të tjera është edhe një institucion i mirëfilltë financiar dhe që ka marrëdhënie të përditëshme me ministrinë që mbulon çështjet financiare, në këtë projektligj është parashikuar përfaqësimi i detyrueshëm i kësaj ministrie në Këshillin Administrativ.
Gjithashtu në këtë projektligj përcaktohet që emërimi i punonjësve të ISSH në shkallë vendi të bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm sipas rregullave të miratuara nga Këshilli Administrativ.
Parashikohet gjithashtu që në mënyrë graduale, ISSH të përqëndrojë llogaritjet dhe caktimin e pensioneve në një njësi qëndrore, duke reduktuar gradualisht veprimtarinë e drejtorive rajonale.
Shtesa që i bëhet ligjit aktual “Për sigurimet shoqërore” të ndryshuar, i jepet e drejta organeve të sigurimeve shoqërore të nxjerrin titull ekzekutiv për të bërë të mundur kthimin në llogaritë e Sigurimeve shoqërore të kësteve mujore të pensioneve që janë gjeneruar dhe kaluar padrejtësisht në llogarinë bankare të pensionistit.
Është vënë re se shtohet ndjeshëm numri i pensionistëve që kanë çelur një llogari bankare për tërheqjen e pensionit mujor. Fluksi i kërkesave është nga pensionistët që janë rezidentë jashtë shtetit. Bazuar në legjislacionin e sigurimeve shoqërore, ISSH gjeneron dhe xhiron pensionin mujor në llogarinë bankare dhe në degën e bankës që ka zgjedhur vetë pensionisti, për çdo muaj, për një afat gjashtë mujor dhe e vazhdon gjenerimin e pagesave pas një konfirmimi të rregullshmërisë së pagesave dhe përfitimeve që lëshohet nga pensionisti.
Është vënë re se kur pensionistët kanë ndërruar jetë dhe çrregjistrimi i tyre në regjistrin e gjendjes civile është bërë me vonesë , si pasojë, pensioni i është kredituar në llogari një pensionisti që ka ndërruar jetë. Në shumicën e rasteve, këstet e gjeneruara për pagesë, për llogari të pensionistit, nuk janë tërhequr dhe kanë mbetur në llogarinë bankare, janë bllokuar për t’u bërë të papagueshme, por nuk mund të kthehen në llogaritë e fondit me kërkesë zyrtare të organeve të Sigurimeve Shoqërore. Në këto raste, nisur nga statusi ligjor i llogarive bankare individuale, për kthimin e shumave, bankat kërkojnë një vendim gjykate. Në këtë projektligj parashikohet që vetëm për rastet e kreditimit të kësteve të pensionit në llogarinë e pensionistit, për periudha mbasi ai ka ndërruar jetë, organet e sigurimeve shoqërore të nxjerrin një titull ekzekutiv icili do të zbatohet nga bankat.
Në projektligjin që paraqitet për shqyrtim, ndër të tjera është parashikuar edhe vendosja e një mbi pensioni për të gjithë pensionistët që ndërkohë që marrin këstet mujore të pensionit të pleqërisë, edhe punojnë dhe paguajnë kontribute. Është përcaktuar se këstet mujore të përfitimit ndërpriten kur personi përfitues zhvillon veprimtari ekonomike si i punësuar apo vetëpunësuar. Ndërkohë duke pasur parasysh se pensioni mujor, sidomos pensioni minimal është në kushtet e mjaftueshmërisë të plotësimit të kërkesave jetësore, me një dispozitë të veçantë,është miratuar lejimi i tërheqjes së pensionit të pleqërisë kur personi është i punësuar apo vetëpunësuar me kusht që ai të paguajë kontribute. Me këtë projektligj parashikohet gjithashtu që të vendoset për çdo vit që pensionisti që punon të marrë një shtesë mbi pension e caktuar prej 2.4 % në vit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.