Kryeministri Edi Rama pjesën e dytë të videomesazhit ia ka kushtuar vendimin që ka marrë qeveria për disbursimin e pagave të punonjësve të biznesit të vogël dhe për pagesat e ndihmës ekonomike. “Sot kam dhënë miratimin për dhënien e pagesës mujore për ata që e kanë edhe hallin më të madh, të punësuar apo vetëpunësuar, familje që jetojnë me ndihmë ekonomike, apo të papunë. Shuma e pagave mujore të deklaruara është 731 milionë lekë të reja nga biznesi i vogël. Por shpesh herë paga e vetme e deklaruar është ajo e kryefamiljarit në kufijtë e pagës minimale, rruga e shkurtër do të ishte, dakord po i japim kryefamiljarit pagën e deklaruar nga ai vetë dhe jemi në rregull me regjistrin e pagave të deklaruara nga biznesi i vogël, 710 mln lekë. Por ka një shprehje të bukur populli, i takon me ligj dhe me zakon, e dimë se ka shumë familje të vetëpunësuara, ku kryefamiljari deklaron pagën e tij, por gruan e deklaron të punësuar pa pagë”, shprehet Rama.
Për këtë ai bën të ditur se për shkak të këtyre skemave që përdoren për shmangien e taksave, qeveria do të pagujë edhe pagën e bashkëshortes, duke e cilësuar si pagë në kohë lufte.
“Mirë ligji, po zakoni. Jemi një familje e madhe. Nuk mund të mjaftohemi me artimetikën e numrit. Ne do të shkojmë përtej këtij numri, që të gjitha qelizat familjare të këtij vendi, që nuk po funksionojnë që të mos u mungojë, jo e gjitha ajo që kanë në kohë paqeje, por ajo që mund të bëjmë. Ne do ia japin edhe gruas së atij kryefamiljari, pagën e luftës. Në këtë mënyrë cdo i regjistruar me apo pa pagë si i vetëpunësuar nga familja, do të marrë një pagë lufte dhe shuma 710 mln lekë të reja të deklaruara nga ata që e kanë mbyllur biznesin do të bëhet 1.57 mld lekë të reja, do të japim dyfishin e shumës së deklaruar. Duke kompensuar të gjithë të punësuar apo vetëpunësuarit në një biznes të vogël që nuk punojnë për shkak të luftës. 60440 persona janë këta që nuk do i lëmë vetëm” deklaron Rama.
Skema e përfitimit shtrihet edhe për personat që marrin asisencë sociale dhe pagesën e papunësisë, ku sipas kryeministri do të paguhen dyfish. “‘Ne do të shpërndajmë dyfishin e shumës që shpërndajmë në kohë paqes të ndihmës ekonomike për familjet në nevojë gjatë kësaj kohe lufte. 123 mijë familje duhen ndihmuar edhe me ligj por edhe me zakon. Mbështetja nuk është nga halli se do të vdesin për bukë, por nga nevoja jetike e kësaj lufte që ata që mos ndiqen të veçuar dhe të pamotivuar për ta bërë këtë luftë deri në fund. Vetëm kështu nuk do të dalim kokulur’, tha Rama
Dyfishimi i pagesës do të jetë edhe për ato kategori të papunësh që janë regjistruar si të tillë në shtet. “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm nuk është një slogan që tingëllon mirë, por është pjesë e profilit tim kur ndeshem në përditshmërinë me hallet e shqiptarëve. Sot është dita të jemi pranë hallexhinjve më të mëdhenj. Ne kemi vetëm një rrugë, t’i zëmë vdekjes të gjitha rrugët kur ajo të mos ia dalë dot. Ne duhet të bëjmë çmos që të humbasim sa më pak jetë shqiptare në këtë luftë”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.