Nga Gazeta Si- Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq pesë persona të cilët nëpërmjet mashtrimit vodhën të paktën 15 shtetas duke marrë kredi në emër të tyre dhe përvetësuar paratë. Prokuroria e Tiranës ka zbardhur gjithë skemën e mashtrimit të 5 personave të cilët akuzohen tashmë për veprën penale “mashtrim” dhe “Falsifikim i dokumentave”.
Si funksiononte skema?
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit, kanë përvetësuar shumat e kredive të marra të paktën nga 15 persona që kanë bërë kallëzim penal duke i mashtruar dhe duke ju përvetësuar shumat monetare.
Shtetasi L.V., ka shtyrë të dëmtuarit nga kjo veprimtari kriminale që të hapnin llogari bankare në emër të tyre, ku janë transferuar shumat monetare të marra nëpërmjet kredive bankare. Po kështu, nëpërmjet gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit për personat e dëmtuar dhe pa dijeninë e tyre, ka bërë të mundur realizimin e dosjeve të kredisë dhe kontratave të kredise, në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, duke bërë të mundur çeljen e kredive, disbursimin dhe transferimin e shumave monetare në llogaritë bankare të personave të dëmtuar, tërheqjen e shumave dhe përvetësimin e tyre.
Në kryerjen e këtyre veprimeve, shtetasi L.V., ka bashkëpunuar me shtetasit E. A. dhe L. P., të cilët kanë qënë punonjës të shoqërisë ‘Fondi Besa’ sh.a, që kanë qenë në cilësinë e oficerit të kredisë, në lidhje me personat e dëmtuar. Po kështu, ka bashkëpunuar edhe me shtetasen L. N., e cila ka qënë përgjegjëse e zyrës përkatëse të ‘Fondi Besa’ sh.a, që ka patur në varësi dy punonjësit e mësipërm.
Nga aktet provohet se në veprimet apo mosveprimet e të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë skemë vjedhjeje nëpërmjet mashtrimit, provohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kush më shumë e kush më pak, kush në rolin e organizatorit apo të zbatuesit, kanë vjedhur nëpërmjet mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuar
Ndërsa shtetasja M. D., në cilësinë e Noteres, ka kryer veprën penale të ‘Falsifikimi i dokumenteve’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.